Johannes Hahn, komesar evropian për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë, ka deklaruar në Beograd se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë dhe Kosovës është kusht kyç i kornizës negociuese.
“Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është kusht kryesor i kornizës negociuese”, ka deklaruar Han në një intervistë për gazetën “Politika” të Beogradit.
Sipas tij, në këtë fazë, me rëndësi është zbatimi i detyrimeve të marra përsipër gjatë dialogut me qëllimin që të përparohet drejt normalizimit gjithëpërfshirës.
“Në fund, ky proces do të sigurojë që edhe Serbia edhe Kosova mund të vazhdojnë drejt rrugës evropiane, duke shmangur mundësinë e bllokimit reciprok në ato përpjekje, me perspektivën që të dyja të jenë në gjendje që plotësisht t’i realizojnë të drejta e veta dhe t’i përmbushin detyrimet e tyre”, ka thënë Han.
Siç citon kjo gazetë komisionarin për Politika Fqinjësore e Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, kushtet e shtruara nga Gjermania për Serbinë, janë edhe kushtet e Bashkimit Europian.