Noka thotë se asnjë kandidat i PS-së për president të Shqipërisë s’do ta ketë votën e PD-së (VIDEO)

E publikuar: 04/06/2022 00:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asnjë kandidat për president të Shqipërisë, që vjen nga Partia Socialiste, nuk do ta ketë votën e Partisë Demokratike, ka bërë të ditur sonte në Edicionin Special të Klan Kosovës, Flamur Noka, deputet i këtij subjekti.

Ai përmendi një arsye, për të cilën thotë se PS s’mund të ketë vota të PD-së për kandidatin e tyre për president, përcjell Klankosova.tv.

”PD-ja e ka denoncuar prej kohësh farsën që po përpiqet të luajë Edi Rama në kurriz të institucioneve të këtij vendi, e në kurriz të institucionit të presidentit të Republikës së Shqipërisë”.

”Sot, pasi zhvilloi disa ture, pasi u tall me një pjesë të opozitës së emëruar dhe i keqpërdori ata. Sot Edi Rama iu paraqiti shqiptarëve kandidatin e tij”.

”Një kandidat të njëanshëm, i cili vjen si produkt i prishjes së konsensusit dhe i një loje të fëlliqur në kurriz të opozitës dhe demokracisë në Shqipëri”.

“Qëndrimi i PD-së është bërë i qartë, PD-ja nuk bëhet pjesë e kësaj loje, nuk mund të pranojë kapjen e të vetmit institucion që kishte ngelur i pakapur nga Edi Rama dhe ishte deklaruar kundër”.

”Në mënyrë absolute, votë të PD-së nuk mund të ketë asnjë kandidat i PS-së. E theksoj, ishte i vetmi institucion i lirë dhe i pakapur deri më sot në këto nëntë vite. Ky institucion u kap. I vetmi institucion që ishte i pakapur, u kap nga Edi Rama”.