Opozita ka braktisur dje punimet e Komisionit të Sigurisë në shenjë proteste për qëndrimin që PS mbajti ndaj rastit të Saimir Tahirit. Më herët, deputeti i LSI, Luan Rama, kërkoi që të zhvillohet një seri seancash dëgjimore me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku, Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, dhe kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, lidhur me skandalin e mosfunksionimit të radarëve të monitorimit të hapësirës detare.
Luan Rama kërkoi që në seancë dëgjimore të ishte i pranishëm dhe Visho Ajazi Lika. Deri në momentin që zhvillohej mbledhja, nuk kishte dalë ende lajmi i lirimit të tij nga detyra. Por kërkesa e deputetit të LSI u refuzua nga kryetarja Ermonela Felaj, e cila kërkoi që kërkesa të bëhej sipas procedurës dhe me firmat e 1/3 e anëtarëve të komisionit. Por në këtë diskutim, nënkryetari Flamur Noka ka shpërthyer në debat, duke e quajtur të turpshëm qëndrimin e PS. Noka tha se Rama dhe qeveria janë të kapur peng nga Saimir Tahiri. Ndërkohë që Felaj tentoi t’i mbyllte mikrofonin, ky i fundit i kërkoi që ajo të futej poshtë tavolinës nëse kishte frikë.
REPLIKAT NË KOMISION
Luan Rama: Duhet të nisim një seancë, një cikël seancash dëgjimore, pas denoncimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për mosfunksionimin e radarëve të hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë….
Ermonela Felaj: Ju, në bazë të rregullores, duhet t’i paraqisni një kërkesë të motivuar komisionit mbështetur nga 1/3 e anëtarëve të komisionit. Jo më pak se 6 veta. Ju mund të thërrisni kë të doni për çështjet që keni nevojë të sqaroheni. Por neni 36 e thotë shprehimisht… Të kalojmë në votim.
Luan Rama: Neni 33 thotë që seancat dëgjimore me funksionarët e institucioneve të larta publike dhe shtetërore përfshihen në rendin e ditës kur kryesia është dakord ose kur vendos për këtë çështje shumica e anëtarëve të komisionit.
Ermonela Felaj: Të lutem, se nuk jemi deputetë për herë të parë dhe e bëjmë këtë gjë për herë të parë…
Flamur Noka: Në një shtet ku ministri i Brendshëm kapet në krim, ku ministri i Brendshëm kapet si menaxher i mbjelljes e trafikut të drogës dhe shërbimet partnere e zënë me presh në dorë, nuk mund të flitet për normalitet në zhvillimin e seancave dhe të komisioneve. Kjo opozitë, ndryshe nga opozita e para katër viteve, nuk ka ndër mend të djegë Shqipërinë, por ka ndër mend t’ju bëjë me dije se normalitet në një vend…
Ermonela Felaj: Të lutem, zoti Noka, ke ndonjë gjë për çështjen…
Flamur Noka: Ju nuk mundet ta konsideroni të paqenë këtë skandal, sepse dhe sot e kësaj dite qeveria juaj vazhdon të jetë inefiçente në punë.
(Felaj i fik mikrofonin)
Flamur Noka: Shiko, mos më ndërpre fjalën mua…
Ermonela Felaj: Ky komision do zbatojë rregulloren… Të lutem…
Flamur Noka: Mos m’u lut… Hiqe dorën të flas unë. Jemi tre drejtues, nuk je vetëm ti. Mos bëj gabim herë tjetër.
Ermonela Felaj: Kjo mbledhje drejtohet prej meje…
Flamur Noka: Mos guxo dhe mos bëj gabim. Në rast se ke frikë, futu nën tavolinë. Nëse ke frikë nga e vërteta, futu nën tavolinë. Puna jote.
Ermonela Felaj: Meqenëse kolegu Tahiri është nën hetim, ne e mbarojmë misionin tonë këtu. Flamur Noka: Kolegu Tahiri është i kapur dhe për fat të keq ta ka kapur prej fyti edhe kryeministrin tënd dhe këtë qeveri.
Ermonela Felaj: Të mos bëjmë atë që është bërë 27 vite me radhë, që është ndërhyrë te drejtësia herë pas here.
Flamur Noka: Kjo qeveri nga mëngjesi deri në darkë është në ankth,Flamur Noka: Kjo qeveri nga mëngjesi deri në darkë është në ankth, sepse pritet skandali i radhës. Kjo qeveri nuk mund të vazhdojë dhene nuk mund të bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë. Ermonela Felaj: Ti mund të mos jesh dakord me shumëçka, por nuk e ke atë mbështetje…
Flamur Noka: Vazhdoni këtë procedurë, qeverisni me krimin, punoni me krimin, qeverisni me krimin se ne nuk do na keni këtu. Ne do na keni për t’ju rrëzuar.
Ermonela Felaj: Mbledhjet e komisionit po shndërrohen në sjellje kaq të turpshme dhe në mungesë të respektit ndaj Kuvendit.
Flamur Noka: Mungesë totale të respektit ndaj krimit dhe ndaj jush që jeni të zhytur të gjithë në krim… /panorama


















