NJSI-s nesër në protestë i bashkohet edhe Sindikata e Policisë

E publikuar: 08/12/2023 19:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sindikata e Policisë së Kosovës ka konfirmuar se do t’i bashkohet protestës së nesërme të paralajmëruar nga Njësiti Special Intervenues (NJSI) në orën 12:00 para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka konfirmuar për KosovaPress se do të marrin pjesë në protestë së bashku me NJSI-në.

Ai ka thënë se gjatë protestës do të bëhen të ditura edhe kërkesat e tyre.

“Po, do të jemi në protestë, ku do t’i publikojmë edhe kërkesat tona”, ka thënë Zeqiri.

Ndryshe, pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës më 1 nëntor, duke kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.