Njohja e Kosovës nga Nairobi në “The Kenyan Times” dhe “Nation Africa”, si raportuan këto dy mediume afrikane

E publikuar: 26/03/2025 23:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kenia ka njohur Kosovën të mërkurën në një ceremoni të zhvilluar në zyrën e Presidentit të këtij vendi, ku morën pjesë edhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe këshilltari i tij Jetlir Zyberaj.

Mediumi “Nation Africa”, ka shkruar se lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.

Behgjet Pacolli ka treguar sot se ka pasur ndihmë nga autoritetet e Shqipërisë.

“Kenia njohu zyrtarisht Kosovën të mërkurën, shtetin e Evropës Juglindore që ka kërkuar pavarësinë nga Serbia për më shumë se dy dekada. Vendimi u mor nga presidenti Ëilliam Ruto, por ishte presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ai që e konfirmoi pasi i dërguari special i Kosovës Behgjet Pacolli vizitoi Nairobin. Në X-in e tij, lideri shqiptar tha se Kenia ishte bashkuar me komunitetin ndërkombëtar për të njohur pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës”, raporton ky medium.

Ndërkaq, mediumi “The Kenya Times”, pos raportimit për këtë njohje, ka treguar edhe kronologjikisht historinë e Kosovës që nga nisja e shpërbërjes së Jugosllavisë.

Në këtë artikull thuhet se Kenia është shteti i parë që e njeh Kosovën 5 vjet pas pasi njohjen e fundit vendi e mori nga Izraeli.

“Kenia e ka njohur zyrtarisht Kosovën si një shtet të pavarur, duke u bërë vendi i parë që e bën këtë pas gati pesë vjetësh përpjekjesh të ngecura për të fituar njohje të mëtejshme ndërkombëtare. Presidenti William Ruto e njohu shtetin e shkëputur ballkanik si një komb të pavarur gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Shtëpinë e Shtetit, Nairobi, të mërkurën, më 26 mars”, thuhet në raportim.

Në artikull citohet edhe ish-presidenti Behgjet Pacolli i cili ka shprehur vlerësime për shtetin e Kenias. /Gazeta Express