Njeriu që e sulmoi me bomba autobusin që bartte skuadrën e Borussia Dortmundit në vitin 2017, është dënuar me 14 vjet burg për tentim-vrasje.
Sergei Wenergold, një gjerman me origjinë ruse, i kishte fshehur bombat në vendet ku do të kalonte autobusi dhe i kishte shpërthyer ato kur pranë tyre kaloi automjeti me skuadrën gjermane.
Sergei Wenergold (Foto: Friedmann Vogel – Pool/Getty Images/Guliver)
Shpërthimet që lënduan dy persona, fillimisht ishin trajtuar si sulme xhihadiste. Mirëpo, Wenergold kishte pranuar se ishte vepër e tij duke thënë se nuk kishte planifikuar ta lëndonte askënd.
Në rrëfimin e tij të çuditshëm, 29-vjeçari ka treguar se kishte planifikuar të përfitojë para përmes vënies së bombave duke vënë bast në rënien e vlerës së Borussia Dortmundit në berzë.
Sergei Wenergold (Foto: Friedemann Vogel – Pool/Getty Images/Guliver)
Wenergold është dënuar në 28 pika për tentim-vrasje nga një gjykatë në Dortmund dhe do të vuajë 14 vjet burg.
Nga sulmet e atëhershme mbeti i lënduar mbrojtësi spanjoll, Marc Bartra, si dhe u plagos një polic.
Autobusi i sulmuar i Borussia Dortmundit (Foto: Maja Hitij/Getty Images/Guliver)
Incidentet ndodhën më 11 prill të vitit 2017 kur autobusi i skuadrës së Dortmundit ishte nisur për në stadium para ndeshjes kundër Monacos. /Telegrafi/
Autobusi i sulmuar i Borussia Dortmundit (Foto: Maja Hitij/Getty Images/Guliver)


















