Njëri avokat e tjetri ekonomist – Kush janë dy rusët që e mashtruan Kurtin dhe ekipin e tij

E publikuar: 26/03/2025 18:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rusët Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur me emrat Vovan dhe Lexus, kanë mashtruar liderë botërorë e të famshëm për shumë vite.

I fundit që ka rënë pre është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Thirrjet telefonike mashtruese të tyre kanë nxitur hetime nga qeveritë, kanë ngrehur shqetësime për ndërhyrje dhe lidhje të mundshme me shërbimet e sigurisë së Rusisë.

Krejt nisi kur Kuznetsov, një avokat, dhe Stolyarov, ekonomist, nisën thirrjet brenda Rusisë duke mashtruar të famshmit rusë para se t’i futeshin edhe politikës së brendshme dhe më në fund të kalonin edhe në skenën ndërkombëtare.

Të dy morën famë ndërkombëtare kur ata mashtruan legjendën e muzikës, Elton John, duke pretenduar se po fliste me presidentin rus, Vladimir Putin, më 2015.

Komedianët vazhdimisht kanë pretenduar se nuk kanë agjendë politike në atë që bëjnë, por puna e tyre duket se tregon një qëndrim të fuqishëm me pikëpamjet e Kremlinit dhe madje mund të kenë marrë informacione që mund të jenë të dobishme për të, shkroi “The Independent”.

Në fillim të luftës në Ukrainë, ekspertët e sigurisë kibernetike theksuan se dyshja kishte rritur fokusin në mashtrimin e zyrtarëve të lartë në Amerikë dhe Evropë. Që nga lufta ata kishin bërë cak dhjetëra politikanë të lartë ndërkombëtarë.

Në mesin e emrave më të njohur që ranë pre e mashtrimit të Vovan dhe Lexus ishin ish-kryeministri britanik, Boris Johnson, Princ Harry, ish-kryeministri kanadez, Justin Trudeau, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, Hillary Clinton, Kamala Harris, e të tjerë.

Të mërkurën, 26 mars, u bë e ditur nga vetë komedianët se Albin Kurti ishte i radhës që u mashtrua nga një telefonatë e bërë më 11 shkurt.

Atij i janë prezantuar si presidenti letonez.