Një Ministre e Qeverisë që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, është nën hetime, e për një tjetër tashmë është ngritur aktakuzë. Prokuroria është duke hetuar Kryediplomaten Donika Gërvalla, derisa për Ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdarin tashmë ka edhe aktakuzë. Por, për çka po hetohen dhe sa mund të dënohen?
Raportimet për mos deklarim të pasurisë nga ana e Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë bërë që Prokuroria Themelore e Prishtinës të nis hetime ndaj saj.
Ndaj saj është dorëzuar kallëzim penal në drejtim të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.
Sipas raportimeve në media, ministrja Gërvalla nuk i kishte deklaruar dy pozita – një në biznesin e saj në Gjermani dhe tjetrin në një OJQ në Kosovë – dhe as nuk ka treguar për pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj në deklarimin që ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK)
Lajmi për nisjen e hetimeve e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
“Referuar pyetjeve tuaja, lidhur me kallëzimin penal kundër D.G., në drejtim të veprës penale ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’, iu njoftojmë se rasti është në fazën e hetimeve”, ka deklaruar Ulaj.
Por, Gërvalla s’është e vetmja që dyshohet për këtë vepër penale. Ndaj koleges së saj, Ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdarit, tashmë është ngritur edhe aktakuzë.
Aktakuza ndaj saj është ngritur më tetor të këtij viti.
“Më 13 tetor 2022, Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë kundër R.H për mos deklarim të pasurisë”, ka konfirmuar Ulaj.
Kallëzimi penal kundër Hajdarit ishte dorëzuar në muajin mars nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Sa mund të dënohen Hajdari e Gërvalla?
Mos deklarimi i pasurisë dënohet edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Nenit 430, çdo person që nuk e deklaron pasurinë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vjet.
“Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet. Vepra penale nga paragrafi 1. I këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës”, thuhet në paragrafin 1 të këtij Neni.
Për ata që deklarojnë rrejshëm pasurinë apo nuk paraqesin të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënimi është me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
“Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit”, parasheh paragrafi 2 i këtij Neni.
Sipas Kodit Penal, “vlera e padeklaruar ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, të ardhurave, dhuratave ose të dobisë tjetër pasurore, konfiskohet”.
Hetime edhe për një rast ku përmenden Donika Gërvalla e Fikrim Damka
Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime edhe për një rast, lidhur me dyshimet për korrupsion në radhët e Ministrisë së Punëve të Jashtme që udhëhiqet nga Gërvalla dhe asaj për Zhvillim Rajonal, në krye të së cilës është Fikrim Damka.
“Kanë nisur hetimet lidhur me pretendimet për afera korruptive në institucionet e Republikës së Kosovës”, kishte njoftuar Prokuroria, në fillim të qershorit.
Hetimet kishin nisur pasi Partia Demokratike e Kosovës, kishte publikuar një dokument nëpërmjet të cilit pretendonte se ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla – Shëarz dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, kanë shpenzuar kundërligjshëm mbi një milion euro nga buxheti i shtetit.
“Fjala është për një memorandum bashkëpunimi ndërmjet ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it zviceran, në bazë të të cilit buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet kundërligjshëm në vlerën prej një milionë e 40 mijë eurove”, kishte thënë deputetja e kësaj partie, Ariana Musliu – Shoshi.