Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi të hënën se ka konfirmuar edhe 11 raste të reja me koronavirus.
Sipas IKSHPK-së, personat që kanë rezultuar pozitivë, janë raste kontakti: pesë nga Komuna e Vushtrrisë, tre nga Prizreni, dy nga Prishtina dhe një rast nga Ferizaj.
Ndërkohë, janë regjistruar vetëm dy raste të personave të shëruar.
Instituti i Shëndetësisë Publike njoftoi se gjatë ditës së hënë ka testuar gjithsej 196 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë shkon në 895; 657 pacientë janë shëruar, ndërsa 28 kanë vdekur.