Gjatë një vizite në Lubjanë, vite më parë, një nga intelektualët (lat. Intellectus-mendje) referencial të shek. XX, linguisti e filozofi njëherësh edhe anarkisti liberal-socialist amerikan Naom Çomski, kishte deklaruar: “Nuk duhet të jesh shumë i guximshëm në Perëndim për të qenë një zë kritik”. Një nga dëshifrimet nëntekstore të këtij mendimi mund të jetë: Ju në Botën e Tretë, kështu zakonisht në shumë literaturë amerikane tipizohet kjo botë e jona e moshzhvilluar, provoni të imitoni intelektualët perëndimorë, ku liria e shprehjes dhe siguria financiare-materiale janë të plota. Por, ky imitim juaji të shumtën, në fund del të jetë veçse qesharak. Pse?
Të jesh zë kritik në Perëndim, vazhdon “nuk është pra guxim, por një minimum ndershmërie”. Është dhurata që vlersohet dhe financiohet për të qenë shoqëria e pasuruar me vlera të reja të lirisë. Përkundër kësaj, në një botë në të cilën mungon siguria, zbatimi i ligjit dhe në shumë mënyra është e promovuar pabarazia ndërmjet qytetarëve, madje edhepse i përkasin një etnosi dhe një strukture formale sociale, aq edhe politike, nuk është fare lehtë të jesh zë kritik. Madje kjo s’është e lehë edhe po të ketë intelektuali një maksimum ndershmërie. Po kështu, në një vend që gjykohet edhe 18 vjet mbas se tash sa po përfundon lufta, emocioni është shumë më i fuqishëm se racioni, dhe është ende më vështirë të jeshë zë kritik edhe po të keshë jo pak ndershmëri. Mund të jeshë i guxmishëm dhe i ndershëm aq sa ta marrësh epitetin e një satanai apo qeni armik, pse flet keq për “vlerat e lavdishme dhe të shenjtave të pushtetit” dhe do të ishte shumë më mirë të “mos i përkitje”, sepse nuk e meriton anëtarisimin odën e ”lavdisë historike”.
…
Mentari a mentarja (siç e thërrasin intelektualin neoshqitparët ndërmjet dy luftërave botërore), është ky një personalitet me cilësi të veçanta që përfaqëson në mënyrë të qartë mesazhin, vlerësimin, qëndrimin, filozofinë dhe mendimin e vet publik ose në emër të publikut (Edward Said). Po ai në në Perëndim dhe ky në një shoqëri tranzicioni edhe krize, apo edhe më krizë ende më të theksuar siç është Kosova, sa do që mund të ketë pretendime të njëjta publike, që është shumë e natyrshme dhe madje edhe e domosdoshme, nuk mund të ketë status të njëjtë social dhe publik. Angazhimi social i intelektualëve në Perëndim është krejtësisht vetëvullnetshëm, nga rasti në rast dhe nga vetë prirja humane e gjithësecilit. Heshtja e tyre ka kuptimin po kështu tjetër nga heshtja e një intelektuali në një shoqëri krize. Një intelektual në Amerikë apo në Britani të Madhe nuk është fare e rëndësishme nëse do të jetë zë kritik ndaj qeverisë, dukurive dhe fenomeneve radikale ideologjike. Por, heshtja e një intelektuali në një shoqëri krize edhe konceptohet edhe interpretohet, si edhe pasojat për vetë shoqërinë janë, dukshëm më dramatike. Të mendohet disidentizmi në shoqëritë ish-komuniste dhe prirja për të joshur dhe përkrahur nga politika perëndimore intelektualët që të dilnin hapur kundër sistemit autoritar. Përfitimet e intelektualëve që dolën në anën e disidentizmit ishin jo të vogla, duke hapur dyert e afirmimit jo vetëm publiko-politik, por edhe artistik. Ata që heshtën nuk morën asgjë. Heshtja tërhoqi në një mënyrë mbas sanksionin.
Heshtja a është e dënueshme njësoj sikur të folurit gabim? Heshtja tek shoqëritë më të zhvilluara nuk është edhe aq me peshë, ndërsa tek shoqëritë në krizë i shtrohet aktit të gjykimit madje edhe të ndëshkimit, së paku etik. Si shembull ilustrues në këtë kontekst heshtjeje do përkujtuar intelektualin e famshëm çifut Primo Levi, i cili mbasi u lirua nga kampi nazist nga trupat aleate, qe shprehur: ”Nuk janë kriminelë ata që vrasin, por ata që heshtin për krimet”. Figurativisht thënë, nuk janë kriminelë vetëm vrasësit, maskaruesit-ushtarët (vetë fjala ushtarë tërheq pas kuptimin –fatkeq dhe vrasës kur jipet urëdhëri) pse ata nuk duan të kenë edhe aq ide për atë që bëjnë, por janë fajtorë elitat kulturore, të cilat heshtin dhe nuk u tregojnë atyre që vrasin se janë duke bërë keq, madje janë duke bërë faj të madh bashkë me ata, urdhërdhënës, të cilëve u nënshtrohen dhe nuk i kundërshtojnë. Pikërisht në këtë dimension, funksioni i intelektualit në Perëndim dhe i atij në vende të krizës, është i ndryshëm dhe nuk mund t’u kërkohen “ llogari” të njëjta.
…
Vlerësohet se në pesë mijë vjetët e fundit në botë kishte mbi 14.500 luftëra dhe në këto luftëra të llojllojshme humbën jetën mbi tre miliardë e gjashtëqind milionë njerëz. Seneka kishte në mendje, mbase pikërisht, këtë mosndryshim të agresivitetit dhe johumanizmit gjenetik të njeriut kur shkroi: „Çdo ditë njeriut i kanoset rreziku nga vetë njeriu.“ Nëse do të pajtoheshim se mundet, jo gjithmonë i dobëti ta nisë, megjithatë vetëm i forti edhe mund ta nisë edhe mund ta vazhdojë gjatë luftën, atëherë intelektualët e botës së të fortëve, apo mendimtarët e oborreve perandorake që nga antikiteti, kanë pasur gjithmonë më shumë “përgjegjësi” për të qenë zë kritik. Zëri i tyre kritik nuk ka një peshë të njëjtë ndikuese krahasur me zërin kritik të një intelektuali të një vendi dhe populli të varfër në forcë dhe numër. Përgjegjësia edhe e intelektualëve të të shoqërive Perëndimore për Luftën e Parë Botërore (1914-1918) në të cilën humben jetën rreth 15 milionë njerëz dhe u plagosën rreth 22 milionë tjerë dhe për Luftën e Dytë Botërore (1939-1945) e cila ishte ende më tragjike se pësuan mbi 50 milionë njerëz, natyrisht është shumë e madhe.
Dilema edhe sot shtrohet nëse kishte zë të mjaftueshëm kritik në vitet ’90 të shekullit të kaluar për të ndaluar luftëtrat në ish-Jugosllavi. Po të arrihej një gjë tillë, edhe në numrin e përgjithshëm të pesë mijë vjetëve të fundit, do shënoheshin pesë luftëra më pak dhe po kështu rreth 300. 000 mijë njerëz më pak të vrarë e të zhdukur. Zëri kritik tek kroatët, boshnjakët, shqiptarët nuk ka bërë punë në atë rrëmujë që diktonte i forti. Zëri i intelektualëve (akademikëve, shkrimtarëve, profesorëve, mjekëve), kanë ndërtuar së pari platformën politike-nacionale serbe, pastaj edhe ushtarake për sulmin. Pra, zëri ndikues intelektual serb në këtë rast, ka qenë shumë më i fuqishëm dhe më rezultues negativ se zërat tjerë të të gjithëve popujve që thirrnin për liri, tolerancë dhe ndarje paqësore, sepse ai zë ishte njësuar me forcën. Fatkeqësisht, ky trend jo pak vazhdon edhe sot. Duhet pritur deri në prill për të parë nëse në Beograd ka evouluar ndogjë në këtë zë. Shenjat janë frikësuese.
Po në këtë rrjedhë, po të kishte hapësirë dhe zë më të fuqishëm kritik të shqiptarëve në Kosovë në këto vite entuziazmi fitimtar, racionalitet dhe urtësi veprimi, gjendja nuk do të ishte kjo që është, kur trendi (kujtojmë vetëm uzurpimet e pronave, injoranca, pozitat e pamerituara…) është shumë më i fuqishëm se rendi. Trendi i së keqes, pra e mundi lehtësisht rendin e së mirës dhe edhe intelektualët kanë pëgjegjësinë e tyre, pse nuk i thonë me zë kritik ato që duhet thënë edhe kur “elitës politike” kjo nuk i pëlqen dhe mund të reagojë acarueshëm.
…
Që nga shek. XIII, mendimtari fitoi të drejtën qytetare (Guya Bedouellea) dhe nuk e ka fare lehtë për ta mbajtur këtë të drejtë sot sikur që nuk e pat edhe ndër shekuj. Por ndryshimi ndërmjet të vepruarit të mentarit në sferën publike nga “puna primare me mendu’ dhe kriju’” është më shumë se i dukshëm. Përvojat dhe rezultatet janë të ndryshme. Në shoqëritë me organizim të papërgjegjshëm, shkruan Rajt Mills, mundësitë e veprimit të intelektualit të pavarur ngushtohen shumë. Vetë kjo gjendje ndikon, jo sall intelektuali t’u shërbejë grupeve dhe institucioneve për manipulimimin e njerëzve, por edhe vetë ai do të jetë i manipuluar. Kur dominon forca mbi mendjen, atëherë thotë Mills, autoriteti i së vërtetës zëvendësohet nga e vërteta e autoritetit.
Po të jesh i lirë krejtësisht, atëherë mund të kesh zë kritik, mund të kesh guximin dhe arsyen tërheqëse. Çështja është pikërisht tek komunikimi kritik: guximi, asyeja dhe tashti edhe qartësia e të thënit në mënyrë që të dihet kush dhe pse e thotë atë që e thotë.
Ky tekst është shkruar enkas për portalin Gazeta Express.