Një xhami “e gjelbër” që po ndërtohet në periferi të Parisit është duke luajtur rol në përpjekjet kundër ndryshimeve klimatike. Ndërtesa është pajisur me mjete, të cilat kursejnë energjinë dhe do të pakësojnë koston e saj.
Në vështrim të parë, kjo xhami në Massy, në jug të Parisit, ngjan njëkohësisht tradicionale dhe bashkëkohore, por jo medoemos miqësore për mjedisin. Por ndërtesa përmban disa nga tiparet më të fundit të një arkitekture të qëndrueshme.
Komiteti Mysliman i qytezës Massy (CMM), thotë se kjo është xhamia e parë e këtij lloji në Francë.
Ajo është projektuar në mënyrë të tillë, që të respektohet mjedisi përreth dhe të pakësohet përdorimi i energjisë dhe i ujit, që gjithashtu pakëson koston e përdorimit.
Komiteti Mysliman bleu një copë tokë prej 3 mijë e 200 metrash katrore në vitin 2004 dhe filloi atje ndërtimin e xhamisë 7 vjet më pas. Tani pothuajse ka përfunduar ndërtimi i saj.
Anëtarët e komitetit thonë se u desh një kohë kaq e gjatë, ngaqë ata donin të ishte një ndërtesë miqësore për mjedisin, në ndërtimin e së cilës të përfshiheshin profesionistë lokalë.
Për t’u këshilluar për metodat ekologjike të ndërtimit u thirrën inxhinierë nga një shkollë e qytetit fqinj Sceaux.
Mahmoud Ismail, anëtar i komitetit, i cili është përfshirë në çdo fazë të ndërtimit të xhamisë, thotë se ajo është projektuar për të kombinuar stilet moderne dhe tradicionale, me tipare të qëndrueshme:
“Xhamia u ndërtua me një stil të matur të arkitekturës së shekullit 21, që përshtatet mirë me lagjen e re të Messy-it, por njëkohësisht me disa elemente që të kujtojnë xhamitë tradicionale, si minaret dhe kupola. Tani të dyja këto elemente kanë funksione të reja: minarja shërben si një kullë drite për korridorin e hyrjes dhe kupola prej xhami sjell të gjithë dritën në sallën e lutjeve.”
Kupola, në fakt është prej një xhami special, që lejon hyrjen e rreth 90 për qind të dritës natyrale; ajo largon 85 për qind të rrezeve infra të kuqe, gjë që nuk lejon që salla të bëjet shumë e nxehtë në verë, duke mos patur nevojë për ajër të kondicionuar.
Ndriçimi i xhamisë bëhet me llampa LED dhe lavamanët që përdoren gjatë marrjes së avdesit para faljeve mbyllen automatikisht pas përdorimit, për të shmangur harxhimin e kotë të ujit.
Kjo bën që të kursehet deri në 40 për qind e ujit. Veti të tjera që kursejnë energjinë janë një tubacion që rregullon nxehtësinë e ndërtesës, që mat dhe kontrollon temperaturën brenda ndërtesës, duke e ftohur atë kur bën shumë nxehtë dhe duke e ngrohur në ditët e ftohta.
Ismail thotë se mbrojtja e mjedisit është një koncept i vjetër i fesë islame:
“Që kur filluam konceptimin e këtij projekti me arkitektin, patëm si synim zbatimin e parimeve ekologjike, të cilat në fenë islame kanë ekzistuar që në shekullin e 14-të. Tani bota po i kthehet këtyre parimeve. Prandaj menduam që xhamia të ketë imazhin e civilizimit të shekullit 21, duke zbatuar njëkohësisht parimet ekologjike, – thotë ai.
Rezultati është një ndërtesë që inkorporon tipare të gjelbëra në të gjithë arkitekturën e saj.
Ismail thotë se disa nga këto tipare nuk shihen me lehtësi:
“Ka elementë ekologjikë të dukshëm dhe të padukshëm. Ata që nuk duken janë muret me izolim të dyfishtë, që ruajnë ngrohtësinë në dimër. Element i padukshëm është edhe rezervuari ku grumbullohet uji i shiut, i ndërtuar nën xhami. Atje grumbullohet uji i shiut që rrjeth nga toka dhe nga tarraca e xhamisë. Pastaj uji përpunohet në një tjetër rezervuar dhe me një sistem pompe ai shkon tek galexhanët e banjave të burrave dhe të grave.”
Por, medodat e gjelbra shpesh janë më të kushtueshme. Kostoja e ndërtimit të kësaj xhamie deri tani është 4,5 milionë Euro, 20 për qind më e lartë se një variant tjetër jo i gjelbër, thotë Ismaili.
Komiteti Mysliman pret ta kompensojë këtë kosto përmes kursimeve të përdorimit të energjisë dhe të ujit.
Me të përfunduar plotësisht ndërtimi këtë vit, xhamija do të mbajë 1 mijë burra dhe deri në 500 gra. Sallat e tjera do të përdoren për aktivitete të ndryshme kulturore dhe për mësimin arabishtes. Të gjitha fondet për ndërtimin e xhamisë vijnë nga donacionet dhe ato vazhdojnë të grumbullohen deri në përfundimin e saj. Tani mbetet për t’u ndërtuar një sistem ngrohjeje gjeotermik, që do të vendoset nën xhami.
Abdelkhaled Al Bouazzaoui jeton në qytezën fqinjë Plessis-Robinson dhe ai e viziton xhaminë. Ai thotë se ka dhuruar para për ndërtimin e xhamisë, sepse do që të shtohet ndërgjegjësimi për ndryshime klimatike:
“Mesazhi i kësaj xhamie është që t’i ndërgjegjësojë myslimanët për rëndësinë e luftës ndaj ngrohjes globale, prandaj kostoja më e lartë e saj është e jusifikueshme”, – thotë ai.
Një tjetër besimtar, Abdelsalam Ajdiri, thotë se Islami i bën thirrje myslimanëve që të kujdesen për mjedisin.
Inaugurimi zyrtar i xhamisë pritet të bëhet nga mesi i këtij viti. Gjysmëhëna në minaren e xhamisë tradicionalisht është prej floriri, por struktura e saj është pa dyshim “e gjelbër”./Voa