Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në ditën kur u bënë një vit prej se Rusia nisi luftën ndaj Ukrainës, ka kujtuar të gjithë ata që humbën jetën në atë që ajo e quajti si luftë brutale e gjenocidale të Rusisë.
Osmani tha se përballë krimeve të tmerrshme, bota pa një komb që u ngrit me guxim dhe vendosmëri për të mbrojtur lirinë dhe sovranitetin e vet.
“Kjo luftë ka bashkuar botën demokratike, por mbi të gjitha ka treguar se shpirti i popullit të Ukrainës është i pathyeshëm. Siç e dinë shumë mirë populli i Kosovës, brutaliteti dhe agresioni nuk mund të pengojnë kurrë vullnetin e popujve për të qenë të lirë”.
“Janë momente historike si ky që na tregojnë se çfarë ka më shumë rëndësi. De do të qëndrojmë së bashku me demokracitë përballë hegjemonive në mbarë botën”, është shprehur Osmani, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ajo tha se “lufta e tyre është lufta jonë” dhe se sipas saj, triumfi i drejtësisë dhe lirisë së demokracisë në Ukrainë do të jetë fitore për demokracitë kudo në botë.