Një dron rus i rrëzuar në Rumani ka rikthyer edhe njëherë ethet e luftës në Europë. Ngjarja e kësaj të enjte në një zonë të pabanuar në Rumaninë lindore, ka bërë që Bukureshti zyrtar të akuzojë Kremlinin për një “përshkallëzim të papërgjegjshëm“.
Ministria rumune e Mbrojtjes pretendon se kanë gjetur prova që vërtetojnë se droni rus u rrëzua në territorin e tyre, rreth 4 kilometra nga qyteti i vogël i Grindu, pas sulmit që Moska kreu gjatë natës mbi infrastrukturën portuale ukrainase në Danub.
Rumania pas ngjarjes ka njoftuar menjëherë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe thirri ambasadorin rus në Bukuresht, Valeriy Kuzmin.
“Ministria e Jashtme e Rumanisë thirri ambasadorin rus për të shprehur notë proteste kundër këtyre veprimeve të vazhdueshme, të cilat janë në kundërshtim flagrant me ligjin ndërkombëtar dhe shënojnë një përshkallëzim të papërgjegjshëm”, bëri me dije ambasadori i Rumanisë në NATO, Dan Neculăescu.
Për incidentin ka reaguar edhe zëdhënësi i NATO-s, Dylan White, i cili dënoi “sulmet ruse kundër infrastrukturës civile në Ukrainë dhe përgjatë Danubit“. Ai shtoi se NATO po monitoron situatën dhe po qëndron në kontakt të ngushtë me Rumaninë.
“NATO nuk ka asnjë informacion që tregon ndonjë sulm të qëllimshëm nga Rusia kundër aleatëve”, shtoi ai./a2cnn/