Një shtetas i huaj gjendet i vdekur afër xhamisë në Vërmicë

E publikuar: 18/06/2022 22:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një person është gjetur i pajetë këtë të shtunë në Vërmicë të Prizrenit.

Viktima që është gjetur afër xhamisë së fshatit, dyshohet të jetë shtetas i Sirisë.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

Ai tha se vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante, përfshirë prokurorin e shtetit, hetuesit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe përfaqësuesit e policisë së Republikës së Shqipërisë.

Organet hetimore të Shqipërisë kanë qenë në vendin e ngjarjes së bashku me atë të Kosovës për shkak se ngjarja ka ndodhur në vijë kufitare me Shqipërinë.

“Sot rreth orës 16:22, është gjet një trup i pajetë në afërsi të xhamisë së fshatit Vermicë të Prizrenit, i cili dyshohet të jetë shtetas i huaj”.

“Të gjitha njësitet relevante janë në vendin e ngjarjes, përfshirë prokurorin e shtetit, hetuesit nga IML si dhe përfaqësuesit e policisë së Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Gashi.