Një projekt unik në Berlin: Një xhami, një kishë dhe një sinagogë – në të njëjtën ndërtesë!

E publikuar: 10/04/2018 23:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qendra e Berlinit mund të ketë një nga ndërtesat më të pazakonta në botë, apo tempulli që do të bashkojë kishën, xhaminë dhe sinagogën në një ndërtesë.

Sipas informatave të mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ndërtimi i një tempulli të përbashkët të Islamit, Krishterimit dhe Judaizmit duhet të fillojë në vitin 2019 dhe sipas planit do të zgjasë dy vjet.

Siç thuhet më tej, ndërtesa do të gjendet në zemër të kryeqytetit gjerman, në një ishull të peshkimit, dhe ideja kryesore e projektit është që të “shkëmbejnë ide dhe mendime në mesin e përfaqësuesve të feve të ndryshme”.

Ateistët gjithashtu janë të ftuar në dialog ndërsa është planifikuar që tubimet të bëhen në sallën qendrore të tempullit.

Bëhet e ditur se ndërtimi i objektit do të marrë parasysh të gjitha specifikat e tempujve të feve të ndryshme, pavarësisht nga ajo që ata do të vendosen nën të njëjtën çati.

Sinagoga dhe xhamia, për shembull, do të kthehen kah lindja.

Është vlerësuar se kostot e ndërtimit do të arrijnë në 43 milionë euro, prej të cilave deri më tani janë mbledhur 8.6 milionë euro.

Megjithatë, organizatorët e projektit besojnë se 12 milionë euro do të jenë të mjaftueshme për të filluar ndërtimin. /Telegrafi/