Një autobus postar u përfshi nga flakët të martën mbrëma në qendër të Chiètres, duke shkaktuar vdekjen e të paktën gjashtë personave, ndërsa disa të tjerë u plagosën, përfshirë një shpëtimtar, njoftoi policia kantonale.
Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende numrin e saktë të viktimave dhe po hetojnë mundësinë që zjarri të jetë shkaktuar qëllimisht. Policia ka hapur një hetim penal dhe ka apeluar tek publiku të shmangë zonën e incidentit, transmeton albinfo.ch.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:25 në Murtenstrasse, rruga kryesore e qytetit. Një operacion i madh shpëtimi u aktivizua, duke përfshirë 9 ambulanca, zjarrfikës nga Chiètres dhe Morat, dhe një helikopter Rega. Tre nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe një është transportuar me helikopter në spital.
Policia ka ngritur një linjë telefonike për viktimat, familjet dhe dëshmitarët e mundshëm: 0800 261 700. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit dhe për të zbuluar nëse pas ngjarjes qëndron një veprim i qëllimshëm.
Disa media raportojnë se një person dyshohet se i ka vënë flakën vetes brenda autobusit postar. Policia është në dijeni të kësaj teorie, siç deklaroi në konferencën për shtyp, por nuk pranoi të komentojë më tej. Ata deklaruan se të gjitha detajet e tjera janë pjesë e hetimit në vazhdim dhe nuk mund të komentohen.
Një kontingjent i madh shërbimesh emergjente ishte dhe është aktualisht i vendosur në Kerzers. Helikopterët e shpëtimit janë gjithashtu në veprim.
Pamje KËTU, publikuar nga Blick.ch.


















