
Sonte në mbrëmje është përfshirë nga flakët një objekt afarist në Zonën Industriale në kryeqytet.
Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Ai thekson se sipas informacioneve fillestare, dëmet janë të konsiderueshme, ndërkaq nuk raportohet për persona të lënduar.
“Rreth orës 20:00, është raportuar për një zjarr aktiv në objektin e një kompanie në zonën industriale në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët po punojnë intensivisht për lokalizimin e zjarrit. Aktualisht po vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, ndërkaq, për të dalë në vendin e ngjarjes ka ftuar edhe zyrtarin për hetimin e shkaqeve të zjarrit”, theksoi ai.
Ende nuk dihet se për cilën kompani bëhet fjalë që është përfshirë nga zjarri.
Policia fton qytetarët e zonës të shmangin lëvizjet përreth zonës për sigurinë e tyre dhe për të mos penguar intervenimin e ekipeve emergjente./kp