Një ndër punët e para të Kusari-Lilës në ministri blerja e mobileve dhe luleve

E publikuar: 09/03/2026 16:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, sapo ka marrë detyrën ka nisur investimin në kabinetin e saj. Mobilje të reja dhe lule ka porositur përmes dy tenderëve publikë, të cilët shënojnë fillimin e mandatit të saj, por që duket se asnjë nga këto investime nuk do të mund t’i shijojë për shumë gjatë, raporton Infosot. Arsyeja është politike, sepse presidentja e vendit njoftoi se do ta shpërbente Kuvendin, duke çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja që do të organizohen shpejt. Kjo situatë e bën të qartë se ministrja Kusari-Lila nuk po arrin të shijojë investimin e saj në kabinetin e MINT-it, përpara se politika të ndërhyjë në planet e saj.

Tenderi i parë, për furnizim me lule, ishte shpallur me vlerë prej 700 euro dhe fitues u shpall Orchide Flower SH.P.K. Lule të freskëta për ambientet e ministrisë duket se kishin për qëllim të sillnin gjallëri dhe ngjyra në zyrë, por tani ato do të qëndrojnë aty vetëm pak ditë para se të fillojë periudha e tranzicionit politik.
Tenderi i dytë ishte për furnizim me mobilje për kabinetin e ministres, me vlerë 1,150 euro, dhe fitues u shpall një grup operatorësh ekonomik, Ndërmarrja Tregtare Grafike Blendi O.P. dhe G.I. Grafo – Loni SH.P.K. Mobiljet klasike, funksionale dhe të dizajnuara për një kabinet modern, duket se do të jenë vetëm një dekor i shkurtër, pasi Kusari-Lila nuk do të ketë kohë të punojë me to në mënyrë të plotë.

Në total, 1,850 euro janë shpenzuar për lule dhe mobilje. Një shifër që tregon seriozitetin dhe përpikmërinë e ministrisë në fillim të mandatit, por që, për fat të ministres, duket se do të shndërrohet në një kujtim i shpejtë të asaj që mund të kishte qenë një kabinet funksional dhe i këndshëm për punë.
Lule të bukura dhe mobilje elegante mund të mbeten vetëm një dekor për një mandat të shkurtër, ndërsa zgjedhjet e reja do të fillojnë ciklin e ri politik.

Njoftimi per nenshkrimin e kontrates MINTI mobilje (Dokument)

Njoftimi per nenshkrimin e kontrates MINTI-Lule (Dokument)