Një muaj paraburgim për 6 të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares

E publikuar: 03/09/2022 21:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve D.RR, G.S, B.S, F.S, M.S dhe M.R, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale.

I akuzuari D.RR për shkak të veprës penale Dhunimi dhe veprës penale ‘Trafikimi me njerëz’, të pandehurit G.S dhe B.S për shkak të veprës penale secili veç e veç ‘Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit’ n, i pandehuri F.S për shkak të veprës penale ‘Dhunimi’ dhe veprës penale ‘Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit’, i pandehuri M.S për shkak të veprës penale ‘Dhunimi’, si dhe i pandehuri M.R për shkak të veprës penale ‘Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit’.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër gjashtë të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin veç e veç.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale ku dyshohet se janë kryer ndaj viktimës e cila është e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i ikjes së tyre, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ekziston rreziku që i njëjtit do të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo edhe të falsifikojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandalojë të njëjtit në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.