Një i arrestuar, të tjerët në arrati – krejt çka dihet për grabitjen e djeshme te “Albi Mall” në Prishtinë

E publikuar: 18/03/2025 08:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy persona janë plagosur ditën e djeshme në një rast të grabitjes në oborrin e qendrës tregtare “Albi Mall”.

I plagosur mbeti një 42 vjeçar nga Vushtrria i cili mori dy plumba në shpinë nga grabitësit dhe i plagosuri tjetër është njëri prej grabitësve, që dyshohet se është i nacionalitetit serb.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se njëri nga grabitësit është arrestuar, kurse tre të tjerët janë në arrati.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik, se Prokurori kujdestar është informuar nga Njësiti Policor se në lagjen Veternik të Prishtinës ka ndodhur rasti i ‘’Grabitjes’’ në oborrin e një qendre tregtare ‘’Albi Mall’’. Ndërkohë hetuesit policor në bashkëpunim me Prokurorin e shtetit kanë ndaluar një (1) person për vepër penale ‘’Grabitja’’ nga neni 317 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe Prokuroria Themelore vazhdon ndjekjen e personave të cilët ndodhen në arrati.”, ka njoftuar Prokuroria.

Po ashtu në njoftimin e Prokurorisë është thënë se lidhur me rastin nuk mund të jepen detaje të tjera.

“Tani për momentin nuk mund të jepen të dhëna të detajuara lidhur me këtë rast, mirëpo Prokurori i shtetit është i përkushtuar që në koordinim dhe bashkëpunim me organet e rendit të zbardh çështjen në tërësi.”

I dyshuari  që ka mbetur i plagosur është i nacionalitetit serb, dhe ka kërkuar ndihmë në Qendrën Emergjente në Graçanicë, dhe nga aty është dërguar drejt QKUK-së në Prishtinë, për shkak te gjendjes së rënduar.

Lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, ditën e djeshme ka folur shefi i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.

Syla ka thënë se aktualisht pacienti po operohet dhe gjendja është e rëndë.

“Po gjendja e tij është e rëndë, është në sallë të operimit”, tha shkurtimisht Syla Drejtori i Emergjencës, gjatë ditës kishte konfirmuar se edhe shoferi i plagosur i furgonit që po transportonte para po i nënshtrohej operacionit.

Lidhur me rastin u deklaruan edhe nga Policia e Kosovës, ku konfirmuan se gjithçka ka nisur rreth orës 10:30 dhe se po punojnë për zbardhjen e rastit.

“Sot rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para. Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë, janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, thuhej në njoftimin e policisë.