Sondazhet tregojnë se pjesa më e madhe e amerikanëve janë pro legalizimit federal të kanabisit mjekësor dhe Kongresi tashmë e ka të qartë se duhen bërë ndryshime në këtë rrugë
Tre senatorë, dy demokratë dhe një republikan, prezantuan një projektligj historik ditën e martë, i cili do t’u japë mundësi pacientëve që të përdorin kanabis për qëllime mjekësore edhe në shtetet ku ky medikament nuk është i legalizuar. Në këtë mënyrë, këta pacientë nuk kanë më arsye që të lëvizin nga shteti në shtet për të marrë medikamentet e nevojshme. Ata mund të trajtohen për sëmundjet e tyre në shtetet respektive, pa patur frikë se mund të shkelin ndonjë ligj federal apo lokal.
Projektligji i prezantuar ditën e martë, shënon disa ndryshime të rëndësishme të politikës federale ndaj kanabisit dhe për mendimin tim, meriton që të miratohet nga Kongresi pa u menduar dy herë. Edhe pse ky projektligj nuk e heq përfundimisht prohibicionin e tmerrshëm të kanabisit në nivel federal, ai përsëri përbën një hap të rëndësishëm përpara drejt legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore.
Ajo çka është më e rëndësishme në këtë projektligj është riklasifikimi i kanabisit në aktin ligjor të substancave të kontrolluara. Kështu, sipas projektligjit, kanabisi do të zhvendoset, nga kategoria e parë e drogave vdekjeprurëse në kategorinë e dytë, ku hyjnë drogat që përdoren për medikamente në mjekësi. Kanabisi do të renditej kështu me kokainën dhe një sërë drogash të tjera që përdoren në trajtimin e shumë sëmundjeve si edhe për përgatitjet e anestezive përpara operacioneve delikate.
Deri tani kanabisi kishte qëndruar padrejtësisht në kategorinë e parë të drogave, së bashku me heroinën dhe LSD-në, kur këto droga janë të ndaluara në fushën e mjekësisë. Ndërsa kanabisi, vitet e fundit ka gjetur përdorim të gjërë në mjekësi dhe qëndrimi i tij në këtë listë ishte i pakuptimtë.
Dihet se në SHBA, pacientët që vuajnë nga stadi AIDS i HIV-it, kanceri, epilepsia dhe shumë gjendje të tjera të agravuara inflamatore, trajtohen me kanabis për reduktimin e dhimbjeve, si edhe për nxitjen e të ushqyerit. Ndërkohë, të dhënat nga shëndeti publik tregojnë për miliona pacientë të tjera që kanë përdorur kanabis për reduktimin e dhimbjeve të ndryshme, pagjumësinë, mungesën e oreksit dhe krizat e epilepsisë.
Projektligji, i cili sponsorizohet nga Cory Booker i Nju Xhersit dhe Kirsten Gillibrand i Nju Jorkut, të dy demokratë, si edhe nga republikani i Kentakit, Rand Paul, gjithsesi nuk e legalizon automatikisht kanabisin mjekësor në të gjitha 50 shtete. Por ama, mund t’u lejojë shteteve që të ndërtojnë politikat e tyre të veçanta lidhur me këtë industri në fjalë, duke u dhënë liri pacienteve dhe doktorëve që ta përdorin këtë recetë mjaft efikase në trajtimin e shumë sëmundjeve. Kështu, vendet që nuk duan ta legalizojnë si industri kanabisin mjekësor, mund të importojnë medikamente me bazë kanabisin dhe mund t’i përdorin ato ligjërisht. Kjo nuk do të përbëjë më shkelje federale. Deri tani, janë plot 35 shtete, së bashku me Distriktin e Kolumbias, që lejojnë forma të ndryshme të trajtimit me kanabis mjekësor. Megjithatë, shtetet do të jenë të lira që të vendosin vetë nëse do ta legalizojnë ose jo kanabisin mjekësor.
Një tjetër pikë e rëndësishme e projektligjit është se ai u lejon bankave që të ofrojnë shërbime financiare sipërmarrjeve që merren me kanabisin mjekësor. Deri më tani, bankat nuk pranojnë në nivel federal që të hapin depozita për sipërmarrësit e kanabisit, pasi ligji përcakton se të ardhurat prej tij janë para droge.
Sqarimi i kësaj pike është një arritje e madhe që do t’i japë përfundimisht zgjidhje situatave financiare në shtetet që e kanë legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore.
Gjithashtu, ligji u jep të drejtën mjekëve të Departamentit të Veteranëve, që të përfshijnë receta me bazë kanabisi për veteranët e luftës, për qetësim dhimbjesh, gjë që është e ndaluar. Me këtë projektligj, do t’i hapen dyert edhe shkencëtarëve që të kryejnë kërkime lidhur me përdorimin e kësaj bime, në shkencë, industri dhe mjekësi. Rreth një vit më parë, një shumicë republikane dhe demokrate votuan pro një ligji historik, i cili u jepte mundësinë shteteve që të krijonin ligjet e tyre të veta lidhur me përdorimin dhe kultivimin e kanabisit. Ligji historik kaloi me 219 vota pro dhe 189 kundër, ku 49 republikanë dhe 170 demokratë votuan pro. Senati e aprovoi këtë ligj dhe vetë Presidenti Obama e firmosi. Sondazhet tregojnë se pjesa më e madhe e amerikanëve janë pro legalizimit federal të kanabisit mjekësor dhe Kongresi tashmë e ka të qartë se duhen bërë ndryshime në këtë rrugë.
Marrë nga “The New York Times”
Perkthimi: Shekulli