Ajo që shpesh e neglizhojmë, mund të kthehet në një rrezik të madh për shëndetin tonë. Një nënë e re britanike rrezikoi vdekjen për shkak të një gërvishtjeje në gjoks, të cilës nuk i kushtoi rëndësi.
Historia e saj i përket vitit të kaluar dhe është publikuar në britaniken “Mirror”. Lucy Secular përfundoi në spital duke luftuar me vdekjen 24 orë pasi kishte vënë re një gërvishtje të vogël në gjoks.
Fillimisht, ajo nuk i ka kushtuar rëndësi, por disa orë më vonë ka filluar të ketë të vjella, temperaturë dhe zona e gërvishtur i është ënjtur .
Mjekët i kanë thënë se përmes të çarës në lëkurë kishte hyrë një bakter shumë i rrezikshëm, i cili “hante” mishin, duke i shkaktuar plagë të madhe.
“Provova një dhimbje 100 herë me të fuqishme se ato të lindjes. Ndieja diçka që më hante nga brenda”, rrëfen gruaja.
Mjekët e kanë trajtuar me qetësues të fuqishëm për t’i reduktuar dhimbjet dhe e kanë operuar disa herë. Një vit më pas, gruaja është shëruar, por duhet të bëjë sërish ndërhyrje për të rindërtuar pjesën e ngrënë nga bakteri.
Mjekët e konsiderojnë një mrekulli këtë rast, pasi ky lloj bakteri çon në vdekje në 75 për qind të rasteve.