Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe anëtari i kryesisë së kësaj partie, Muharrem Nitaj e ka konfirmuar për lajmi.net zhvillimin e takimit ndërmjet liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe atij të AKR-së, Behgjet Pacolli.
Nitaj ka thënë se takimi është zhvilluar në shtëpinë e Pacollit dhe se ka qenë një takim miqësor e konstruktiv.
“Është e vërtet që Haradinaj e ka zhvilluar një takim përmbajtjesor, të cilin do të ta cilësoja konstruktiv e miqësor me kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacollin në shtëpinë e këtij të fundit. Takimi për temë diskutimi ka pasur krijimin institucioneve të reja të Kosovë. Kjo nën dritën e situatës së krijuar me seancat e Kuvendit dhe me domosdoshmërinë që sa më shpejt të përfundoj procesi i formimit të institucioneve të Kosovës. Ka pas një lloj dakordimi për rëndësinë që ka procesi i votimit të kryetarit të dhe nënkryetarëve të Kuvendit dhe të votimit të Qeverisë së zotit Haradinaj”, është shprehur Nitaj.
Më tej, ai ka thënë se nuk është në gjendje të flas për arritjen ose jo të marrëveshjes ndërmjet Haradinajt e Pacollit, por ka thënë se edhe koalicioni PAN edhe AKR-ja janë të interesuar për tejkalimin e situatës aktuale politike.
“A ka pas marrëveshjes? Ka pas shumë spekulime ditët e fundit për shumë çështje dhe nuk dua të spekuloj edhe më shumë thash ka pas një takim konstruktiv dhe nuk mund të flas për një marrëveshje konkrete të arritur ndërmjet Haradinajt dhe Pacollit. Por ajo që mund të them unë është se Haradinaj dhe koalicioni PAN, mirëpo edhe Pacolli dhe AKR-ja janë të interesuar që të gjendet një zgjidhje dhe Kosovës t’i krijohen institucionet. Unë nuk mund të flas për marrëveshje, për këtë punë mund të flasin vet zoti Pacolli dhe Haradinaj”, ka përfunduar Nitaj.

















