Nisma për Kosovën sot ka prezantuar aderimet e reja. Në Këtë parti sot zyrtarisht kanë aderuar 11 intelektualë me profesione të ndryshme dhe profesorë universitarë.
Me këtë rast, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, u ka uruar mirëseardhje të aderuarve. Ka thënë se Kosova është në një udhëkryq dhe duhet dhënë drejtim.
Postimi i plotë:
Sot prezantuam aderimet e reja, ku zyrtarisht kanë aderuar 11 intelektualë me profesione të ndryshme dhe profesorë universitarë.
Emrush Thaçi, Nehat Rrudhani, Nevzad Shemsedini, Baki Koleci, Bedri Muhadri, Fadil Osmani, Niman Bardhi, Eglantina Kraja-Bardhi, Berat Hasanaj, Bardhyl Spahiu, Blerim Shehu janë emrat më të rinj që i janë bashkuar sot familjes sonë politike.
NISMA për Kosovën po dëshmohet të jetë bosht i ndryshimeve pozitive në vend, duke krijuar perspektivë dhe hapësirën e nevojshme për aktivizim politik.
Me këtë rast, kryetari Limaj u ka uruar mirëseardhje të aderuarve duke thënë se Kosova është në një udhëkryq që i duhet dhënë drejtim dhe se sot ka nevojë më shumë së kurrë më parë për energji dhe intelektualë të fushave të ndryshme.
“Në familjen tonë politike do ta keni hapësirën e nevojshme për të kontribuar. Ne besojmë në aftësitë dhe energjitë e njerëzve tanë dhe ne duam të funksionojmë si ekip. Qytetarëve të vendit duhet t’u kthehet dinjiteti. Në këto pesë-gjashtë vitet e fundit njerëzit janë dëshpëruar. Nisma nuk bën politika në funksion të një vote”, ka thënë kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.
Kryetari Limaj ka thënë se është koha e fundit që të bashkohen njerëzit.
“Jemi e vetmja parti e cila nuk ka dhënë premtime të kota, por kemi dhënë zotime. Eksperienca e juaj profesionale është jashtëzakonisht e mirëseardhur për partinë dhe vendin”, ka shtuar Limaj.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se vendi ka nevojë për angazhim të sa më shumë intelektualëve sepse Kosova ka nevojë për njerëz që dinë dhe duan.
Intelektualët të cilët aderuan thanë se i janë bashkuar Nismës vullnetshëm dhe se duan të kontribuojnë në proceset që po kalon vendi duke u zotuar se me përvojën e tyre akademike dhe profesionale do ta japin kontributin e tyre për përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit.