NISMA zgjedh kandidatin për Kryetar Komune në Drenas

E publikuar: 01/11/2016 13:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Nisma për Kosovën dega në Drenas, Isa Xhemajlaj bërë të ditur se do të jetë kandidat nga radhët e kësaj partie në zgjedhjet e jashtëzakonshme të Komunës së Drenasit. Ai ka thënë se është zgjedhur nga kryesia për të qenë kandidat.

“Theksoj që asnjëherë nuk kam dëshirë të përfitoj nga fatkeqësia e dikujt tjetër. Por në mbledhjen e kryesisë së Nismës në Drenas, është votuar që unë të jem kandidat i zgjedhjeve të ardhshme për Kryetar Komune, për të cilat nuk e di se kur do të mbahen’’ ka thënë ai, për Klan Kosova.Pas dorëheqjes së kryetarit Nexhat Demaku pasi Gjykata e Apelit i konfirmoi atij 3 vite burg për krime të kryera gjatë luftës, në rastin e njohur si “Drenica 2”, Drenasi pritet të mbajë zgjedhje të parakohshme për tv zgjedhur kryetarin e ri.

Më herët në një prononcim për Gazetën Express, kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, është shprehur se zgjedhjet sipas procedurave ligjore mbahen në afatin kohor prej 30 deri në 45 ditë nga momenti i dorëheqjes së kryetarit Demaku.

Por Daka u shpreh se KQZ, konform ligjit do ta pres vendimin e presidentit Thaçi për shpalljen e zgjedhjeve dhe pastaj do t’i organizoj ato.