Nisma Socialdemokrate kërkon nga Specialja hetimin e të gjitha krimeve në Kosovë

E publikuar: 14/11/2020 14:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nisma Socialdemokrate po kërkon nga Gjykata Speciale që të trajtojë të gjitha krimet e supozuara gjatë luftës në Kosovë, nga kushdo qofshin ato.

Në një konferencë për media, sekretari i kësaj partie, Bilall Sherifi tha se Gjykata Speciale duhet të tregojë nëse e ka ndërmend të merret me hetimin e të gjitha krimeve që kanë ndodhur në Kosovë.

“Qëndrimi i Nismës nuk ka të bëjë me atë me bisedat e mundshme me Jakup Krasniqin. Zonja Trendafilova ka deklaruar se Gjykata Speciale do të trajtojnë krime pa dallime. Kërkojmë vepra dhe jo vetëm fjalë. Nëse deklarimet e tilla nuk janë propagandistike kërkojmë vepra. Kërkojmë me ngulm që Gjykata Speciale të fillojë hetimin e të gjitha krimeve që kanë ndodhur në Kosovë”, tha ai.

Në këtë konferencë Sherifi foli edhe për takimin e paralajëmruar nga kryeministri Hoti, duke bërë të ditur se do të marrin pjesë në çdo takim që ftohet për të mirën e vendit, duke qenë të gatshëm që të diskutojnë qoftë për presidentin apo edhe për zgjedhjet e reja.

Mirëpo Sherifi nuk ka pranuar të tregojë qëndrimin e Nismës mes këtyre dyjave, e që një gjë të tillë do ta bëjnë pas së hënës.

“Nisma nuk ka refuzuar asnjëherë asnjë takim, ka qenë në tavolinë kur diskutohet për fatin e vendit”, tha ai.