Deklarimi i këshilltarit të kryeministrit Mustafa, se marrëveshja aktuale për demarkacionin nuk do të kthehet në pikën zero, nuk i ka pëlqyer aspak zyrtarëve të Nismës për Kosovën.
Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Bajram Hasani, ka thënë se nëse Qeveria e paragjykon bisedimet apo rezultatin, atëherë kjo parti nuk do të marrë pjesë. Në një prononcim për Indeksonline, Hasani ka thënë se kjo marrëveshje duhet të kthehet në pikën zero.
“Nisma për Kosovën nuk e përjashton mundësinë për të marrë pjesë në këtë tryezë. Nisma është e gatshme që të ulet në tryezë me të gjithë akterët e përfshirë në procesin e demarkacionit dhe të gjejmë një zgjidhje. Ne jemi të gatshëm që të japim kontributin tonë për gjetjen e një zgjidhjeje, por e theksoj edhe një herë verisioni aktual i marrëveshjes është i papranueshëm. Por nëse qeveria paragjykon bisedimet apo rezultatin nuk do të marrim pjesë. Ne me këmbëngulje insistojmë se duhet të anulohet versioni aktual i marrëveshjes. C’kuptim do të kishte nëse do të kalonte kjo marrëveshje?”, ka thënë Hasani për Indeksonline.
Hasani, i cili është edhe kryetar i degës se Gjilanit nga kjo parti ka thënë se në tryezën e liderëve duhet të merren të gjitha faktet që janë paraqitur nga të dyja palët dhe tek atëherë të gjendet një zgjidhje.
E sa i përket deklaratës se deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se versioni aktual mund të nxisë konflikt mes dy vendeve, ai ka thënë se çdo problem duhet të zgjidhet përmes dialogut dhe se koha e luftërave ka përfunduar.