Komisioni i Ndihmës Shtetërore (KNSH), ka bërë të ditur se Qeveria e Avdullah Hotit konkretisht Ministria e Financave, kanë ndarë një shumë të madhe parash për ti ndihmuar bizneset, në mënyrë të jashtëligjshme.
Ky institucion vlerëson se ndarja e këtyre mjeteve është bërë nga qeveria në detyrë pa i njoftuar fare autoritet e mandatuara për të konstatuar përputhshmërinë me rregullat e ndihmës shtetërore.
Prandaj, të premten komisioni ka autorizuar hetimin e masës së ndihmës shtetërore – “Lehtësim i qasjes në financim për bizneset – nga Ministria e Financave, në kuadër të pakos të rimëkëmbjes ekonomike”.
“Komisioni në bazë të informatave të qasshme publikisht ka konstatuar se masa në fjalë, pjesë e pakos së rimëkëmbjes ekonomike Ligji 07/L-016, përbën ndihmë shtetërore në kuptimin e Ligjit të Ndihmës Shtetërore (LNSH) nr. 05/L-100 dhe se e njëjta në procedurë është dhënë në kundërshtim me LNSH (neni 11(1)) pasi nuk është njoftuar te autoritetet e mandatuara për të konstatuar përputhshmërinë me rregullat e ndihmës shtetërore – para se të vëhet në zbatim”, thuhet në njoftimin e KNSH-së..
Ky institucion i ka dhënë afat Ministrisë së Financave 15 ditë kohë për paraqitjen e të gjitha të dhënave.Ministria e Financave ka filluar të zbatojë këtë masë përmes Fondit Kosovar për Garanci të Kredive (FKGK), duke rritur asetet e këtij të fundit me 65mil Euro me qëllim që të krijohet mundësia e rritjes së masës së garancionit për kreditë që bizneset kosovare do të marrin në bankat komerciale deri në fund të vitit 2021.
“Ky lehtësim i qasjes në financim (përmes instrumentit të garancionit) është bërë me qëllim që bizneseve në disa sektore t’u ndihmohet në procesin e rimëkëmbjes së tyre ekonomike si pasojë e tkurrjes së aktivitetit të tyre ekonomik gjatë pandemisë”, thuhet në njoftimin e KNSH-së. /Gazeta inFokus/