Nisin hetimet ndaj uzurpatorëve të pronave shoqërore

E publikuar: 18/02/2016 13:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas publikimit të listës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit me emrat e uzurpatorëve të pronave publike dhe shoqërore, Kryeprokuroria e shtetit ka bërë të ditur se do të filloj procedurat penale ndaj tyre.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka dhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agron Galani, ka pritur sot në një takim pune një delegacion nga Policia e Kosovës, i kryesuar nga drejtori i përgjithshëm, Shpend Maxhuni, ku u diskutua lidhur me nisjen e hetimeve ndaj personave, të cilët kanë marrë prona shoqërore pa autorizimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Në këtë takim u theksua se kushdo që pa autorizim, apo në mënyrë të kundërligjshme, ka hyrë në objektet, të cilat janë në pronësi të Agjensionit Kosovar të Privatizimit, apo të atyre që kanë lidhur kontratë me AKP-në dhe nuk largohen nga ato objekte sipas kërkesës së personave të autorizuar, ndaj tyre të fillohet procedura penale.

Të dyja palët u pajtuan që të angazhohen në intensifikimin e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, duke i koordinuar aktivitetet e tyre me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të hetimeve të këtyre rasteve, në mënyrë sa më efikase.