Presidenti i vendit, Bujar Nishani u kërkoi autoriteteve shtetërore të dalin nga zyrat dhe të merrem me fenomenin e largimit të shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Duke e cilësuar këtë si një fenomen kombëtar, Nishani deklaroi se zyrtarët duhet të dalin dhe t’i takojnë qytetarët.
Kreu i Shtetit u drejtoi një thirrje të gjithë shqiptarëve, se nuk duhet të largohen nga vendi. “T’u japim siguri qytetarëve për të ardhmen e tyre në vend. Të hartojmë projekte zhvillimore.” – deklaroi Nishani, gjatë një takimi me banorët e Shishtavecit në Qarkun e Kukësit.
Duke dënuar skemat e mashtrimit që elementë kriminalë përdorin në dëm të qytetarëve, Presidenti bëri thirrje edhe një herë që zgjidhja të mos shihet tek mbyllja e kufirit, por tek dhënia e alternativave dhe zgjidhjeve konkrete.
Presidenti Nishani premtoi se do ta ndjekë me përparësi këtë situatë, do të kërkojë mbështetjen dhe zbatim të menjëhershëm të projekteve lokale dhe do kërkojë nga ekzekutivi ndërmarrjen e politikave qeverisëse urgjente për ndalimin e asaj që e quajti “hemorragji me përmasa kombëtare”./shekulli/