Edhe pse kancelarja Merkel e tha prerazi në Tiranë gjatë vizitës së saj se nuk ka azil për shqiptarët, shumë persona vazhdojnë eksodin drejt Gjermanisë. Por në Burrel është shënuar një fenomen interesant. Përpara se njerëzit të nisen për në Gjermani, shkojnë të një hoxhë për të marrë hajmali.
‘Kërkuam ndihmën e hoxhës për të na dhënë një nuskë, e cila do të na ndihmojë që udhëtimi ynë të jetë pa probleme. Kam dy fëmijë të vegjël dhe motrën me vete. Edhe të tjerët para nesh kanë marrë nga një nuskë. Ajo na mbron gjatë rrugës dhe na ndihmon të sigurojmë një punë dhe të na japin azil kur të shkojmë në Gjermani. Është diçka që bëhet nga shumë qytetarë, përpara se të nisen,” tha një banore e fshatit Mallunxë për gazetën “Panorama”. Mësohet se vetëm nga ky fshat janë larguar drejt Gjermanisë 30 familje.
Më tej në rrëfimin e saj ajo thotë se hoxha nuk i ka marrë para për nuskën për shka se është në muajin e shenjtë të Ramazanit.
“Ai u lut që ne të na eci mbarë dhe ne bëmë të njëjtën gjë me njeriun e Zotit. Zoti na e bëftë mbarë ne dhe hoxhës që na dha nuskën. Kemi dy fëmijët e vegjël dhe lutemi të mos kemi probleme gjatë udhëtimit. Është rrugë e largët. Po ashtu vapa është e madhe”- shprehet banorja.
Nga të dhënat zyrtare që prej janarit e deri në qershor numri i azilkërkuesve nga Shqipëria ka qenë 22.029 persona, ndërsa një vit më parë ishte vetëm 3.913./Lapsi.al