Ka filluar procesi i verifikimit të ankesave të para të konsumatorëve lidhur me njehsorët elektrikë, ndërsa institucionet përgjegjëse kanë dalë në terren për të trajtuar rastet.
Sipas njoftimit, Komisioni i posaçëm i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Tregut, ka ndërmarrë veprime konkrete gjatë ditës së sotme.
“Komisioni i posaçëm i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) për trajtimin e ankesave të konsumatorëve për njehsorët elektrikë, sot gjatë ditës ka dalë në terren bashkë me Inspektoratin Qendror të Tregut”, thuhet në njoftim.
Autoritetet bëjnë të ditur se disa prej njehsorëve, tek të cilët janë konstatuar mospërputhje të kohës, janë larguar nga përdorimi për verifikim të mëtejmë.
“Njehsorët, që janë vërejtur mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës”, theksohet më tej.
Sipas njoftimit, rezultatet e para nga verifikimi pritet të publikohen së shpejti.
“Rezultatet e verifikimeve të njehsorëve të parë pritet të dalin së shpejti dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që të paraqesin ankesat e tyre duke ofruar të dhëna të nevojshme për trajtim më të shpejtë të rasteve.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, konkretisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, iu bënë thirrje të gjithë qytetarëve që parashtrojnë ankesa në adresën elektronike [email protected], të bashkëngjisin numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet në kohën më të shpejtë të mundshme”, thuhet tutje në njoftim.


















