Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur se sonte rreth orës 20:00 ka filluar numërimi i pjesës së fundit të mbi 3 mijë fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, të cilat gjatë ditës janë sjellë në Kosovë.
Sipas Elezit, me përfundimin e këtij procesi përmbyllet numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
“Mund t’iu konfirmoj se sonte, rreth orës 20:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve, mbi 3 mijë, që gjatë ditës janë sjellur në Kosovë. Numërimi i këtyre fletëvotiimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, ka konfirmuar Elezi.
Ai theksoi se KQZ është e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare, ndërsa palët politike kanë të drejtë të paraqesin ankesa në PZAP brenda 48 orëve, në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.


















