Nis dëshminë dëshmitari i 51-të, ZPS thotë se UÇK-ja ia arrestoi vëllanë dhe kufoma e tij nuk u gjet kurrë

E publikuar: 19/03/2024 13:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 51-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04446 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja Bega Joviça, u tha se dëshmitarit i ishte arrestuar vëllai i tij nga UÇK-ja e që kufoma e tij nuk u gjet më kurrë.

“Dëshmitari W04446 mësoi nga një i afërm se vëllai i tij ishte i arrestuar nga UÇK-ja. Kur W04446 shkoi që të kërkonte vëllanë, ushtarët e UÇK-së i thanë që të fliste me një komandant të UÇK-së i cili e konfirmoi se vëllai i W04446 ishte aty dhe se çështja e tij po hetohej duke qenë se UÇK-ja besonte se ishte bashkëpunëtor i okupatorit. W04446 e anëtarë të tjerë të familjes shkuan sërish që të pyesin për vëllanë e tij disa herë, në një moment të caktuar W04446 e kuptoi se vëllai i tij nuk ndodhej më në komandën e UÇK-së dhe e kërcënuan që të mos kthehej më. Kufoma e vëllait të W04446 nuk u gjet kurrë”, tha prokurorja.

Dëshmia e këtij dëshmitari është duke vazhduar në sesion privat për publikun, për shkak se ai është me masa mbrojtëse.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III dëshmia e këtij dëshmitari pritet që të zgjasë rreth katër orë. Ai tha se ZPS-ja ka paraparë rreth një orë për pyetje, ndërsa ekipet mbrojtëse rreth tri orë e 15 minuta për kundërpyetje./BetimipërDrejtësi