Gjatë vizitës që Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq po zhvillon në Kubë, ka shprehur qëndrimet e tij në takimet me liderët kubanë.
“Fati i Serbisë dhe i Kubës është i ngjashëm, pasi që të dyja ndajnë pasionin e njëjtë për liri dhe pavarësi”, ka thënë Nikoliq, transmeton Indeksonline.
Presidenti këtë deklaratë e ka bërë gjatë takimit që ai ka zhvilluar me kryetarin e Parlamentit, Esteban Lazo Hernandez.
Nikoliq nuk ka harruar që të falendërojë Kubën “për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës”, e cila, sipas tij është shpallur në mënyrë të njëanshme.
Qytetarët serbë duan popullin kuban, ka nënvizuar Nikoliq, duke shtuar se të gjithë ambasadorët kubanezë që janë emëruar në Serbi mund ta dëshmojnë këtë.
Nikoliq ka thënë se miqësia mes dy popujve nuk është e bazuar vetëm në marrëdhënie ekonomike.
“Është e rëndësishme që bazat e marrëdhënieve të mira bilaterale të burojnë nga miqësia e sinqertë, e cila është baza më e fortë për marrëdhënie të mira ekonomike”, ka thënë ai. /Indeksonline/