Prej kohësh Nike ka folur për evolucionin e atleteve të basketbollit. Ditën e sotme prodhuesi më i madh në botë i atleteve prezantoi të ardhmen e tyre me Nike Adapt BB.
Këto atlete hi-tech jo vetëm që mund të kontrollohen përmes një aplikacioni por gjithashtu përshtaten me këmbën.
“Gjatë një loje normale basketbolli këmba e atletëve ndryshon dhe ndryshimi i madhësisë së këpucës për të ndihmuar qarkullimin e gjakut apo shtrëngimi kur është e nevojshme për performancë janë elementë që mendojmë se do ta përmirësojnë eksperiencën e atletëve,” shprehej ekzekutivi i kompanisë Eric Avar.
Sipas Nike, atletet Adapt BB kanë elektromotorë dhe “marshe” tensioni të cilat automatikisht lirojnë ose shtrëngojnë këmbën e atletit.
Duke përdorur aplikacionin e Nike lojtarët mund të përcaktojnë masën e shtrëngimit.
Teknologjia e cila quhet FitAdapt do të përditësohet vazhdimisht tha Nike.
Atletet gjithashtu do të vinë me teknologjinë e karikimit wireless Qi. Ato fillojnë nga 350 dollarë. /PCWorld Albanian