Ngritja e aktakuzës, vëllai i Liridona Ademajt: Presim dënim me burg të përjetshëm për të akuzuarit

E publikuar: 15/01/2025 19:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, ndërkohë që vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, e ka mirëpritur këtë hap dhe duke theksuar se familjarisht presin një dënim maksimal për të akuzuarit.

“Ne si familje e mirëpresim ngritjen e aktakuzës dhe kërkojmë që gjykata të vendosë sa më shpejt, sepse sa më shpejt, aq më mirë është për ne”, ka deklaruar Leonard Ademaj.

“Presim që dënimi të jetë maksimal për të tre, ata duhet të marrin dënimin e merituar”, ka shtuar Ademaj, duke kërkuar dënim të përjetshëm për autorët.

Në lidhje me procesin ligjor, avokati i familjes, Leutrim Syla, ka theksuar se Prokuroria ka qenë e rezervuar dhe se, përveç hetimeve në Kosovë, është punuar edhe jashtë vendit, duke e kuptuar se hetimi mund të zgjasë.

Për sa i përket ngjarjes, Leonard Ademaj rrëfeu se nuk kishte pasur shenja se motra e tij, Liridona, kishte probleme me bashkëshortin Naim Murseli, dhe se ajo po përgatitej për të udhëtuar në Prishtinë.

“Motra nuk kishte paraqitur ndonjë shqetësim, dhe ishte tronditje e madhe për ne”, ka theksuar ai, duke kujtuar momentin kur u njoftua për vrasjen e Liridonës.

“Nga ora 11, unë isha në punë. Më telefonoi gruaja derisa ishe duke punuar dhe me tha se e kanë vrarë Liridonën. Unë mendova që djalin e axhit, se e ka emrin Liridon. Më pas hyra në lajme nuk pashë asgjë. Pas 5 minutave, me thirri prapë, më tregoi kur shkova në shtëpi gjendja ishte katastrofale. Prindërit ishin thuaja të alivanosur i mora në spital për qetësues, pastaj jemi nisur për Prishtinë. Unë kam ardhur direkt në QKUK. Më thanë që duhet të shkojë në Dragodan në stacionin policor. Naimi ishte brenda duke jep deklaratë aty kemi qëndruar me fëmijët, sepse kanë qenë aty”, ka deklaruar ai, në emisionin FIVE të RTV Dukagjini.