Ngritet aktakuzë ndaj U.D. të drejtorit të Spitalit në Ferizaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare

E publikuar: 01/04/2022 16:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj Halit Gërbeshit – ushtrues i detyrës së Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se sipas aktakuzës nga muaji shtator 2021 e deri në muajin dhjetor 2021, në Ferizaj, i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, Ushtrues i detyrës së Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, në vazhdimësi dhe me dashje, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete, në atë mënyrë që në pompën e derivateve ‘HIB Petrol’ e cila gjendet në Ferizaj, shtatë herë, ka furnizuar me derivate në kuadër të tenderit të spitalit, veturën e tij private të markës HUNDAY, pa u pajisur me vendim nga ana e Bordit Drejtues të SHSKUK-së dhe në këtë mënyrë i ka shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403,97 euro, me çka ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së, transmeton Telegrafi.

Më tej në aktakuzë thuhet se “i njëjti, në muajin dhjetor të vitit 2021, në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, si person zyrtar, në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Spitalit, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, ku me ndërmarrjen e këtij veprimi të paligjshëm, i njëjti ka furnizuar me derivate veturën e tij private të markës HUNDAY duke i shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403,97 euro, me çka ka kryer veprën penale ‘Ushtrimi i ndikimit’ nga neni 424 paragrafi 1 i KPRK-së”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Ferizaj, që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i’u vihen në barrë.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) më 14 janar të këtij viti kishte larguar nga puna përkohësisht U.D e Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, Halit Gërbeshi.

Ky vendim ishte marrë pasi Gërbeshi është ndaluar 48 orë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, pasi që i njëjti dyshohet për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.