Kryeministri shqiptar Edi Rama në fjalën e sotme në Kuvendin e Kosovës ndau, siç tha vetë ai, opinionin e konsoliduar mbi dialogun e Kosovës me Serbinë, duke thënë se ky proces duhet të ngrihet dhe se Kosova duhet të synojë dialogun me Bashkimin Europian.
Rama po ashtu tha se Kosova duhet të zbatojë unilateralisht kushtet e normalizimit të marrdhënieve me Serbinë, të cilën e përshkroi si “provën e padiskutueshme të vullnetit dhe përkatësisë vet në gjirin e Europës së bashkuar dhe të NATO-s”.
“Në këtë fazë kaq vendimtare për rrugën e saj të integrimit europian dhe euroatlantik, Kosova duhet ta ngrijë – ta ftofi siç thoni ju – pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me Bashkimin Europian, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke e lidhur kërthizën e reciprocitetit euroidealist me Bashkimin Europian. E thënë ndryshe, Kosova mund t’ia japë familjes europiane dhe aleatit të atlantikut të veriut në një kohë shumë të shkurtër provën e padiskutueshme të vullnetit dhe përkatësisë vet në gjirin e Europës së bashkuar dhe të NATO-s, duke i përmbushur unilateralisht të gjitha kushtet e normalizimit të marrdhënieve me Serbinë, jo për hir të Serbisë, por për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet dhe për hir të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve europiane me kryeqytet të përbashkët Brukselin”.
Rama tha se Kosova nuk ka asnjë arsye që të presë se çfarë do të bëjë Serbia oër të bërë më pas hapat e saj drejt BE-së dhe NATO-s.
Në këtë çështje mbi raportet e Qeverisë së Kosovës me aleatët, Rama pati edhe disa thumba për kryeministrin Albin Kurti.
Ai përmendi “trimin e mirë me shokë shumë” kur po fliste për “shans historik” të shqiptarëve për bashkimin në familjen europiane dhe për shfrytëzimin me sukses të këtij momenti.
Por, Rama pati kritika edhe për Bashkimin Europian për masat ndëshkuese që ende i ka të vendosura ndaj Kosovës.
“Masat sot janë një absurditet absolut dhe se bashku me presidenten në samitin me BE-në dy ditë më parë, kemi këmbëngulur me forcë që ato masa të hiqen dhe kemi siguruar që të gjitha fondet e BE-së që janë penguar të lëvrohen për shkak të atyre masave të mos digjen. Por, ne duhet të jemi dorë për dore, paqedashës dhe paqeruajtës për të bindur edhe skeptikët më të mëdhenj në BE për absurditetin e rezervave të tyre ndaj njohjes së Kosovës si shtet sovran. Në sytë e tyre barra e fajit për degradimin e dialogut europian të normalizimit duhet t’i bjerë e gjitha vetëm Serbisë, por kurrsesi s’duhet të lejojmë që qoftë edhe një gram t’i bjerë Kosovës. Ne duam që Kosova të njihet një orë e më parë nga të gjithë ato vende europiane që ngurojnë ta pranojnë realitetin e pakthyeshëm dhe të pandryshueshëm të pavarësisë së saj, përfshirë edhe nga Serbia, të cilën Kosova e ka mundur me luftë këtu e 25 vjet më parë”./Express/