Samiti i tri ditëve më parë në Beograd riktheu takimet ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Ndonëse virtualisht dy liderët diskutuan pas rreth dy muajve nga takimi i fundit i tyre në Bruksel. Por, dallimet për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe kanë vënë pikëpyetje vazhdimësinë e mëtejmë të dialogut Kosovë-Serbi.
Qëndrimi i kundërt i palëve për këtë temë po bënë që të kërkohet ngritja e nivelit të ndërmjetësuesve në dialog.
Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë Hoti, Besnik Tahiri thotë për KosovaPress se në çfarëdo niveli të ndërmjetësimit dialogu nuk ka alternativë, por mbi bazën e parimeve dhe marrëveshjes finale për njohjeve reciproke.
“Dialogu për qeverinë e Kosovës nuk ka alternativë. Ne kemi ndërtuar parimet e sakta se si duhet të shkohet drejtë marrëveshjes finale me njohje reciproke. I kemi bërë këto qëndrime edhe me si qeveri, por edhe subjektet politike opozitare janë në një vijë. Nuk ka nëntema, ka vetëm një e ajo është marrëveshja finale dhe njohja reciproke”, thotë ai.
E vëmendje më të madhe të krerëve të BE-së në këtë fazë po kërkon edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
“Natyrisht që duhet të ketë një vëmendje të atyre që janë mbështetës dhe fasilitues të dialogut. Ne tashmë po hymë në fazën finale, e kemi përfunduar gjithë këtë pjesë të ashtuquajtur teknike. Ajo që duhet është që Kosova të angazhohet fuqishëm që këtë fazë finale të sigurojë njohje të ndërsjellët dhe ulëse në OKB. Prandaj natyrisht që niveli duhet të jetë i rritur”, thotë ajo.
Për dallim nga dy të parët, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi fillimisht kërkon zgjedhje të reja në vend, e pas rinisje të dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas saj është jorelevante në këtë kohë se çfarë niveli ndërmjetësohet dialogu, pasi konsideron se nuk mund të arrihet asnjë rezultat kur nuk ka përkrahje qytetare.
“Kjo formë e diskutimit, ky rifillim i dialogut është gabim. Kjo duhet të ndërpritet, pasi duhet zgjedhje të reja në Kosovë dhe qasje e re. Ne mund të ndryshojmë nivelin e fasilituesve, se kush e ndërmjetëson dialogun, a duhet nivel më i lartë apo më i ulët. Kjo është irelevante, nuk është e nevojshëm të diskutojmë sepse çfarëdo niveli që kyçet në dialog nuk mundet me arrit një rezultat sepse nuk është përkrahja e qytetarëve të Kosovës”, thotë ajo.
Ndërkaq, Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike e Politike u shpreh për KosovaPress se në çfarëdo niveli të ndërmjetësimit në Bruksel, pala kosovare duhet të kushtëzojë vazhdimin e mëtutjeshëm të dialogut me njohje reciproke.
“Kjo kërkesë nuk është aspak befasi, është në vazhdën e tendencës së Serbisë për të kushtëzuar vazhdimi ne dialogut për interesa të saj. Për çështje që Serbia dëshiron t’i qoj përpara dhe t’i rregulloj në përfitim të tyre. Ne konsiderojmë që asnjë hap para dhe as vazhdimi i mëtutjeshëm i dialogut të mos bëhet pa një garanci minimale, pa një kushtëzim me njohje të Kosovës nga Serbia sepse një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur. Atëherë ishte shumë pozitiv dhe një mesazh i rëndësishëm përfshirja direkte e kancelares Merkel dhe presidentit Makron.”, u shpreh ajo.
E në një përgjigje për KosovaPress zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano e la të nënkuptueshme se fasilitimi i dialogut Kosovë-Serbi do të vazhdojë në nivelin e emisarit special, Miroslav Lajçak.
“BE vazhdon të jetë e përkushtuar në rolin e saj si ndërmjetësues i dialogut. Kjo është konfirmuar nga Ministrat e Jashtëm të BE-së gjatë takimit të tyre që është mbajtur të hënën më 12 tetor në Luksemburg. Përfaqësuesi i lartë, Xhozef Borel, pas diskutimit me ministrat ka deklaruar se BE mbetet e përkushtuar që dialogun ta shpie deri tek një përfundim të suksesshëm, duke kërkuar nga palët që të punojnë në mirëbesim dhe frymën e kompromisit. Njëkohësisht, ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, po ashtu kanë shprehur mbështetjen e plotë të tyre për punën e z. Lajçak në këtë drejtim” tha ai për KosovaPress.
Takimi i fundit zyrtar në Bruksel ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandër Vuqiç në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi ka qenë më 7 shtator. Ndërkaq, në nivelin e ekspertëve është zhvilluar edhe një takim në fund të shtatorit./E.Zeqiri/