Ngërçi në parlament, Presidenca e ka gati draftin për Kushtetuese

E publikuar: 10/06/2025 12:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu (FB)

Presidenca e Kosovës ka përgatitur një draft që mund të adresohet në Gjykatën Kushtetuese rreth bllokadës në  parlament, por se është në pritje të aktgjykimit të kësaj gjykate rreth kërkesës së AAK-së.

Kjo është konfirmuar për Klankosova.tv nga Bekim Kupina, këshlltar për media i presidentes Vjosa Osmani.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ekipi ligjor Presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese, mirëpo jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pranueshmërisë së kërkesës së dërguar nga AAK-ja, sepse kjo pastaj mund t’i sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga Presidentja. Pra nuk është fjala për meritat e çështjes, por vetëm për anën procedurale, pra pranueshmërinë”, tha ai.

Pas takimit të mbajtur më 15 maj , presidentja Osmani kishte ftuar liderët e partive politike në një takim të dytë konsultativ, kësaj here për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale.

“Gjatë këtij takimi të dytë, Presidentja e ka përsëritur në mënyrë të drejtpërdrejtë ftesën e saj që, nëse partitë politike kanë interes për konsultime shtesë lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ajo është e gatshme të zhvillojë takime të veçanta me secilin prej tyre. Ftesa e Presidentes vlen ende, nëse për një gjë të tillë kanë interesim liderët e partive politike”, shtoi Kupina.

Ngërçi në Kuvendin e Kosovës po vazhdon tash e gati dy muaj pasiqë nuk po arrihet assesi pajtueshmëri rreth zgjedhjes së kryeparlamentarit.

Për këtë pozitë, Lëvizja Vetëvendosje po insistion me kandidaten e saj, Albulena Haxhiun.