Ngacmimet seksuale ndaj grave dhe programi norvegjez për refugjatët

E publikuar: 16/01/2016 10:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Norvegji, një program edukativ për emigrantët dhe refugjatët, i cili përqëndrohet tek trajtimi i grave, po tërheq vëmendje të veçantë pas sulmeve masive në vigjilje të Vitit të Ri, ndaj grave në Këln të Gjermanisë. Njoftimet se gratë në Gjermani, Suedi dhe gjetkë janë ngacmuar seksualisht nga burra nga Lindja e Mesme, Afrika Veriore dhe Azia, kanë shkaktuar zemërim në mbarë Europën. Qeveritë po përpiqen të gjejnë zgjidhje, si deportimi i autorëve të këtyre veprimeve dhe edukimi i emigrantëve, që të njohin ligjet dhe vlerat perëndimore.

Qendra “The Hero Kompetanse” në qytetin verior Stavanger të Suedisë, ofron kurse gjuhe dhe të kulturës për refugjatët dhe azilkërkuesit. Shumë studentë të kësaj klase janë nga vende ku gratë gëzojnë pak, ose aspak të drejta.

“Në vendin tim gratë thjesht rrijnë në shtëpi, gatuajnë dhe pastrojnë shtëpinë… Puna e vetme që ato bëjnë është në shtëpi. Burri merr vendime për gratë. Kështu mendoja kur erdha fillimisht në Norvegji. Por tani edhe unë mendoj se burrat dhe gratë janë njëlloj në këtë shtet.”

Një pjesë e rëndësishme e trajnimit fokusohet tak parandalimi i përdhunimit.

“Kursi ka të bëjë me parandalimin e përdhunimit dhe ai u mëson emigrantëve kodet shoqërore norvegjeze,” thotë një azilante.

Ky program-pilot dy-vjeçar ka tërhequr vëmendjen e vendeve të tjera europiane, pas raporteve për sulme seksuale. Zyrtarët gjermanë kanë njoftuar masa të ashpra për krime të tilla.

“Të huajt që kryejnë krime në Gjermani do të deportohen më me shpejtësi, bazuar tek propozimet e ministrit të brendshëm dhe të miat. Ata po ashtu do ta humbin më shpejt statusin e tyre të refugjatit,” thotë ministri gjerman i drejtësisë Heiko Maas.

Grupe të të drejtave dhe myslimanë i kanë cilësuar këto si hapa të nxituar dhe të pajustifikuar.

“E kemi parë vazhdimisht se si janë keqtrajtuar dhe diskriminuar gratë. Por do të ishte fatale që këto masa të merreshin tani për refugjatët. Duhet biseduar me kujdes për këtë. Por ju lutem, që të mos e bëjmë këtë në kurriz të refugjatëve. Ky është një problem i përgjithshëm dhe pjesë e zgjidhjes janë masat më të ashpra për krimet seksuale,” thotë Aiman Mazyek, kryetar i Këshillit Gjerman të Myslimanëve.

Kryeministri suedez Stefan Lofven premtoi një hetim të plotë për pohimet se policia i ka mbuluar akuzat për sulme seksuale nga të rinj imigrantë në një festival muzike në Stockholm. Ai theksoi se ngacmimet ndaj grave nuk janë një fenomen i ri.

“Ngacmimet seksuale nuk po shfaqen tani. Fatkeqësisht ato kanë ekzistuar gjithmonë dhe shumë gra i kanë përjetuar ato prej shumë vitesh,” tha kryeministri suedez.

Sulmet ndaj grave nga burra të huaj në Këln kanë provokuar protesta masive kundër imigrantëve në Gjermani, por kanë nxitur gjithashtu një debat lidhur me abuzimet ndaj grave, një fenomen mjaft i përhapur, si edhe për shkak se mungojnë ligjet për mbrojtjen e tyre.