Nga Tirana në Rejkjavik duke kaluar në Belfast, Cardiff dhe Vienë. Kampionati Europian Francë 2016 do të ketë shumë fytyra të reja mes tyre edhe Shqipërinë që falë asaj fitoreje fantastike në Armeni siguroi kualifikimin historik në një event madhor. Do të jenë 4 përfaqësueset që do të debutojnë në një kampionat europian më konkretisht në Francë 2016. Pikërisht Islanda, Irlanda e Veriut, Uellsi dhe Shqipëria, por nuk duhet harruar as Austria që edhe pse ka marrë pjesë në Euro 2008, si vend organizator për herë të parë në histori siguroi praninë në një event të tillë nëpërmjet ndeshjeve eliminatore. Ndryshimi i formatit të kampionatit europian nga presidenti i Uefas, Michel Platini i cili zgjeroi numrin e skuadrave pjesëmarrëse ishte një plus i madh për kombëtare të tilla si Shqipëria, Uellsi, Irlanda e Veriut etj, por edhe nëse dicka e tillë nuk do të ndodhte këto përfaqësuese në mos nuk do të ishin kualifikuar direkt do të siguronin praninë e tyre minimalisht në play-off. Shqipëria e siguroi kualifikimin historik në Francë pasi u pozicionua e dyta në grupin I duke lënë pas kombëtare me shumë emër në arenën europiane si Danimarka dhe Serbia, të njëjtën gjë bëri edhe Uellsi i Gareth Bale që gjithsesi ka ende shanse ta përfundojë grupin B në vendin e parë.
Një surprizë e vërtetë ishte Irlanda e Veriut. Me një yll si George Best përfaqësuesja britanike nuk kualifikua asnjëherë në një kampionat europian por e bëri dicka të tillë me një trajner si Michael O’Neal dhe me një sulmues si Kyle Lafferty duke u renditur e para në një grup me kombëtare si Rumania, Hungaria, Greqia e Finlanda. Një surprizë shumë e bukur e këtyre eliminatorëve ishte edhe Austria që zuri vendin e parë në një grup të vështirë, duke dominuar kombëtare të tilla si Rusia, Suedia e Mali i Zi. Pa harruar këtu Islandën një shtet me vetëm 329 mijë banorë që pasi siguroi pjesëmarrjen në play-offin e Kupës së Botës Brazil 2014 u kualifikua si e para në grupin A, duke mundur në dy raste një përfaqësuese si Holanda. Sa shumë fytyra të reja në një kampionat europian që pritet të jetë më i bukur se kurrë kjo sespe në të bashkë me disa nga superfuqitë e futbollit të kontientit të vjetër si Gjermania, Franca, Spanja, Italia dhe Anglia do të konkurojnë përfaqësuese si Shqipëria, Uellsi e Islanda që falë shpirtit luftarak dhe dëshirës së madhe bënë realitet një ëndërr shumë-vjecare./ss/