Nga sakrifica për liri, te guximi për zhvillim, ish-deputetja Sala Berisha-Shala jep mbështetje të fuqishme për Egzona Gashi Mehmetin në Lipjan

E publikuar: 11/10/2025 00:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me një mesazh të fuqishëm emocional dhe politik, ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Berisha-Shala, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për kandidaten për asamble komunale në Lipjan, Egzona Gashi Mehmeti.

Në një tubim mbështetës të mbajtur në qytetin e Lipjanit, Berisha-Shala vlerësoi lart angazhimin, guximin dhe trashëgiminë familjare të Egzonës, duke theksuar se ajo vjen nga një familje që i ka dhënë shumë vendit, përfshirë dëshmoren e UÇK-së, Zylfije Gashi.

“Isha e nderuar të jem pranë Egzonës në këtë betejë të re. Betejat për të mirën e vendit nuk përfundojnë kurrë – ato nisën në luftë dhe vazhdojnë në paqe, përmes shërbimit publik dhe përkushtimit qytetar,” u shpreh Berisha-Shala.

Egzona Gashi Mehmeti, sipas saj, nuk është vetëm një emër në listë, por një përfaqësuese e vlerave që kanë formuar shoqërinë tonë: sakrifica për liri, puna për zhvillim dhe guximi për të ndryshuar. Me një motivim të thellë nga heroizmi i hallës së saj dhe me përvojë në zhvillimin e biznesit familjar që sot punëson shumë njerëz, Egzona shihet si zë i fuqishëm për qytetarët e Lipjanit.

“Mbështetja për Egzonën është mbështetje për trashëgiminë tonë kombëtare dhe për një të ardhme më të mirë e më të drejtë për të gjithë,” përfundoi Berisha-Shala, duke ftuar qytetarët që më 6 nëntor të mbështesin kandidaturën e Egzonës përmes votës.

Egzona Gashi Mehmeti garon në listën e PDK-së për asamblenë komunale të Lipjanit, me numrin 6, ndërsa PDK mbështet kandidaturën e Shukri Bujës për kryetar komune.