Nga një refugjate në ambasadore: Çitaku e rrëfen udhëtimin e saj tmerrues për Politico

E publikuar: 16/08/2017 14:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, është rrëfyer për Politico për udhëtimin e saj pikëllues nga një refugjate e luftës në Kosovë në ambasadore.

“Kur Vlora Çitaku ishte vetëm 18-vjeçare, ajo u bë refugjate në Maqedoni pas shpërthimit të luftës në Kosovë,” e nis artikullin Politico, transmeton Express.

“Nivelli i tmerrit ishte i paparë,” Citaku e kujton gjenocidin e forcave serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.

“Mijëra gra u përdhunuan,” ka thënë Çitaku për Politico.

Ambasadorja Çitaku po ashtu e ka diskutuar edhe periudhën më të dhimbshme në fëmijërinë e saj – pak para shpërthimit të luftës – dhe se si u bë dhunë në oborrin e shkollës.

“Ta shohësh mësuesin tënd duke u rrahur nga policia para teje dhe të ndihesh e pafuqishme ishte pjesa më e vështirë. Mësuesi është heroi dhe ta shohësh se po rrihet para teje dhe ti dëshiron të bësh diçka por je shumë e frikësuar,” ka shpjeguar ajo.

Diplomatja kosovare e kujton përvojën e vet si refugjate në moshën 18-vjeçare.

“Mbaj në mend ditën kur forcat serbe erdhën për të na përzënë, ishte një rrëmujë e tërë. Mijëra njerëz dhe nuk kishim zgjidhje se ku dëshironin të shkonim. Thjesht na përzënë. Shkova në Maqedoni. Më kujtohet se u ndamë nga prindërit dhe mbetem vetëm unë me tri motrat. Mbaj mend tek mbaja në supe motrën time të vogël. Patëm ecur gjithë ditën dhe mbaj mend sa e rraskapitur isha. Mbaj në mend frikën që përjetoja,” ka rrëfyer Çitaku.

Ajo, po ashtu, ka komentuar edhe për krizën e refugjatëve sirianë.

“Ne gjithmonë themi, ‘Kurrë më. Mjaft është mjaft. Nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë,’” ka thënë ajo.

“Por, historia vazhdon ta përsërisë veten në formën më të keqe,” shtoi ambasadorja Çitaku.