Nga ndotja e ajrit, mbi 800 vdekje në vit

E publikuar: 21/03/2016 13:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndotja e ajrit llogaritet se në Kosovë shkakton mbi 800 vdekje të parakohshme në vit, thonë përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Skënder Syla, udhëheqës i kësaj Organizate në Kosovë, tërheq vërejtjen për rëndësinë që ka mbajtja e mjedisit të pastër për shëndetin dhe jetën e njeriut.

“Këtë fakt e argumenton edhe raporti global i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që vë në ndërlidhje të ngushtë kushtet e ambientit dhe individët që i ekspozohen mjedisit jo të pastër, e që kanë predispozita për sëmundje të ndryshme”.

“Në kontekstin kosovar, ne jemi të vetëdijshëm që kemi probleme të shumta mjedisore, qoftë sa i përket ndotjes së ajrit, të ujit e tokës, por edhe preparateve të ndryshme, pasi dihet se zona të shumta të Kosovës kanë qenë historikisht të ndotura nga mbetjet e plumbit, zinkut etj” , thekson Syla.

Qeveria e Kosovës, sipas Skënder Sylës, duhet të ndërmarrë masa të domosdoshme që në vitet në vijim të ketë përmirësim të ndjeshëm të kushteve mjedisore ku jetojnë qytetarët në vend.

Ndërkaq, Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, agjenci kjo që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thotë se sa i përket cilësisë së ajrit, ka përmirësime në këtë aspekt, krahasuar me vitet paraprake, për shkak të masave që janë ndërmarrë vitet e fundit.

“Raporti i fundit i vitit 2015 tregon se ka ndryshime pozitive sa i përket cilësisë së ajrit. Nuk do të thotë që është perfekt, sidomos në muajt dhjetor,janar e shkurt, kemi tejkalime për shkak të ndezjes dhe përdorimit të ngrohjes së stufave dhe përdorimit të ngrohjes nga ana e qytetarëve nga lëndë, si thëngjilli, që lirojnë gazra. Por, kur tejkalohet, ajo tejkalohet deri në 77 mikro-gram për metër kub, e që 50 mikro-gram është e lejuar. Pra, nuk tejkalohet ndotja mbi 20 për qind, derisa 10 deri 15 për qind është e lejuar me ligj”, thotë Morina.

Që nga viti 2012, ka vijuar Morina, janë ndërmarrë masa në termocentrale dhe në çimentoren në Han të Elezit, ku janë vendosur filtra të pluhurit me çka besohet se është përmirësuar cilësia e ajrit.

Ndërkaq, Skënder Syla përmend disa nga sëmundjet që shkaktohen nga ndotja e ajrit. Madje, ndotja rezulton në disa raste edhe me vdekje të parakohshme te njerëzit.

“Në bazë të vlerësimit të Bankës Botërore, vetëm nga ndotja e ajrit kemi 800 vdekje të parakohshme, si pasojë e sëmundjes së zemrës , mushkërive etj. Gjendja pak a shumë është e njëjtë çdo vit. Pra, çdo vit vdesin nga 800 njerëz e që cilësohen si vdekje të parakohshme”, bën të ditur Syla.

Në anën tjetër, Ilir Morina, nuk pajtohet me prezantimin e shifrave, sipas të cilave, nga ndotja e ajrit dhe mjedisit në Kosovë vdesin mbi 800 njerëz në vit.

“Numri prej 800 njerëzve nuk përkon as me rezultatet evropiane ku janë 400 mijë vdekje të parakohshme, në mbi 550 milionë banorë. Unë e demantoj këtë lajm, me dashje dhe pa dashje mund të them se ky është lajm i vjetër dhe nuk pajtohem me të. Sidomos, nuk mendoj se kjo ka ndodhur në vitin 2015, pasi cilësia është përmirësuar”, thekson Morina, transmeton rel.

Sidoqoftë, ambienti jo i pastër jetësor përveç se mund të jetë kërcënim edhe për vetë jetën e njerëzve, llogaritet se ndikon edhe në shëndetin e tyre, sidomos në rritjen e numrit të të sëmurëve nga mushkëritë dhe sëmundjeve tjera respiratore.