Shkruan Lirim Gashi
Si kurrë më parë në historinë e pasluftës së dytë botërore njerëzimi ka nevojë për një ringjallje të vlerave që jetës i japin kuptim.
Gjegjësisht për shkrirjen e acarit dhe akullit në zemrat e shumicës, e cila e ka humbur çdo ëndërr dhe shpresë se edhe në politikë ka njerëz të përgjegjshëm, ndërgjegjshëm, të drejtë, human, të edukuar, parimor dhe llogaridhënës.
Dhe pasi që politikës, si alternatives se vetme të anarkisë nuk mund t’i ikë askush, atëherë secili individ dasht e pa dasht është i detyruar që të bashkëjetojë me të.
Prandaj klasifikimi, selektimi dhe sistemimi cilësor individual, partiak, kadrovik dhe programor është kaq i rëndësishëm.
Mirëpo një gjë e tillë është e pamundur pa instalimin e sistemit analitik dhe selektiv meritokratik.
Dhe ky sistem duhet të instalohet në të gjitha lëmitë, fushat dhe sferat e edukimit, shkollimit, arsimimit, përgatitjes profesionale, punës dhe veprimit.
Sepse vetëm interpelanca multi dimensionale dhe multi disciplinare ndërmjet të gjitha fushave, sferave dhe lëmive të veprimit privat dhe publik jep rezultate konkrete.
“Sepse pika, pika mbushet lumi, gurë, gurë bëhet mur” thotë një fjali e urtë popullore.
Mirëpo sistemi vlerësues meritokratik që nuk i nënshtrohet vlerave humane, gjegjësisht solidaritetit ndër njerëzor, bëhet i rrezikshëm dhe krijon pabarazi të tmerrshme.
Sepse jo çdo individ i posedon predispozitat e njëjta psikofizike dhe mendore për të qenë i suksesshëm.
Dhe pikërisht ky parim i veprimit në kombinim me nevojën për liri, drejtësi, barazi dhe të drejta të barabarta për të gjithë, e ka krijuar social demokracinë botërore.
Shtrohet pyetja çka është social demokracia?
Siç e përshkruan vetë fjala social demokracia është demokracia sociale, apo doktrina e cila është ngritur mbi themelin e lirisë, barazisë, drejtësisë, humanizmit dhe solidaritetit.
Përndryshe unë social demokracinë e kuptoj edhe si pakt solidar ndërmjet shtetit dhe qytetarëve të tij.
Dhe pikërisht fakti që social demokracia klasike është gjunjëzuar sidomos në dy dekadat e fundit para rendit të pamëshirshëm botëror neoliberal, që i nënshtrohet meritokracisë se egër apo të pashpirt, njerëzimi është para sfidave të tmerrshme që mund t’i tejkalojë vetëm përmes solidaritetit të ndërsjellë, nëse e kupton se sa i padrejtë është ky rend i ri botëror, që Kapitalizmin Klasik, gjegjësisht ekonominë e tregut e ka shndërruar në Casino Imperializëm.
Prandaj nevoja për rimëkëmbjen e social demokracisë klasike botërore dhe për plotësimin e saj me një doktrinë moderne ekologjike, gjegjësisht riciklike është më e madhe se kurrë më parë.