Përveç shtrenjtimit të lëndëve të para, mungesa e fuqisë punëtore është ndër problemet madhore për të gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare. Emigrimi i lartë i popullatës mbetet një nga faktorët kryesorë të mungesës së fuqisë punëtore.
Prodhuesit e bukës gjithashtu janë të shqetësuar se mungesa e specialistëve të përgatitjes së brumit mund të sjellë shumë shpejt në Shqipëri tendencën e prodhimit të industrializuar të bukës, transmeton Monitor.
“Mendoj se shqiptarët janë ende të lidhur me psikozën e viteve ‘90 për t’u larguar nga vendi, ndërkohë që furrat e bukës kanë nevojë për specialistë, si në furra buke, ashtu edhe në pastiçeri. Në 900 furra në Budapest, administratorë dhe sipërmarrës janë shqiptarët e Kosovës. Gjithashtu specialistë të brumit nga Shqipëria po emigrojnë në Kroaci, Maqedoninë e Veriut, Gjermani dhe Greqi.
Por mungesa e fuqisë punëtore mund të sjellë industrializimin e prodhimit të bukës. Ne nuk e duam mekanizimin e saj, pasi nuk është në traditën tonë. Ky sistem do të kërkonte linjë të re prodhimi, do të kërkojë dhoma frigoriferike, do të kërkojë më tepër kosto prodhimi. Përveç kësaj Shqipëria do të humbasë një traditë, atë të prodhimit të bukës në kushte artizanale”, u shpreh Gëzim Peshkopia, kryetari i Shoqatës së Brumërave dhe Pastiçerive të Shqipërisë .