Nga janari i vitit 2026, Telekomi i Kosovës ka nënshkruar tender njëburimor në vlerë prej miliona eurove, me procedurë të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë.
Sipas Ligji për Prokurimin Publik i Republikës së Kosovës, kjo formë e prokurimit lejohet vetëm në rrethana të caktuara, kur për arsye teknike, për shkak të të drejtave ekskluzive apo mungesës së konkurrencës reale, ekziston vetëm një operator ekonomik që mund ta realizojë kontratën, raporton Infosot.
Dokumentet e publikuara në platformën zyrtare të prokurimit tregojnë se disa prej këtyre kontratave arrijnë vlera të konsiderueshme financiare.
Tenderi me vlerën më të lartë ka të bëjë me implementimin e shërbimit Voice over LTE në rrjetin mobil të Telekomit. Kontrata në vlerë 1,449,513.86 euro i është dhënë kompanisë kroate Ericsson Nikola Tesla d.d., përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit dhe me një ofertë të vetme të pranuar.
Në dokumentacion parashihet edhe mundësia e nënkontraktimit deri në 40 për qind të vlerës së kontratës. Sipas përshkrimit të projektit, kjo ndërhyrje lidhet me vazhdimin e fazave të mëhershme të modernizimit të rrjetit mobil, të realizuara në vitet 2022–2024 me të njëjtin operator ekonomik.
Një tjetër kontratë me peshë financiare është ajo për furnizim me kanale televizive, e cila i është dhënë kompanisë shqiptare Digitalb sh.a në vlerë prej 950 mijë euro. Edhe në këtë rast është përdorur procedura e negociuar pa publikim të njoftimit dhe është pranuar vetëm një ofertë.
Ndër kontratat e tjera përfshihet ajo për plotësime funksionale në sistemin e billingut për shërbimet mobile prepaid, me vlerë 87,320 euro, si dhe kontrata të tjera që lidhen me mirëmbajtje të sistemeve ekzistuese të rrjetit, zgjerime kapacitetesh teknike, furnizime me pajisje specifike dhe shërbime të integruara me platformat aktuale të Telekomit. Në të gjitha rastet e publikuara, kriter për dhënie ka qenë çmimi më i ulët dhe është pranuar vetëm një ofertë.
Ligji për Prokurimin Publik parasheh që procedura e negociuar pa publikim të njoftimit duhet të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe me arsyetim të qartë. Përdorimi i saj për kontrata me vlera të larta kërkon dokumentim të detajuar për të dëshmuar se nuk ka pasur mundësi reale për konkurrencë.
Në përgjigjen e dhënë për Infokus, Telekomi i Kosovës ka theksuar se të gjitha procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin dhe me nevojat teknike të ndërmarrjes. Sipas tyre, zgjedhja e procedurës së negociuar është bërë për shkak të specifikave teknologjike dhe kompatibilitetit me infrastrukturën ekzistuese. Telekomi ka sqaruar se rrjeti mobil dhe platformat janë ndërtuar ndër vite në bashkëpunim me operatorë të caktuar dhe se ndërhyrjet e reja kërkojnë integrim të drejtpërdrejtë me sistemet ekzistuese, gjë që, sipas kompanisë, e kufizon hapjen e konkurrencës.
Për projektin VoLTE, Telekomi ka theksuar se bëhet fjalë për një fazë të re të modernizimit të rrjetit mobil, e cila synon përmirësimin e cilësisë së thirrjeve dhe përgatitjen për teknologji të avancuara. Sipas tyre, ky investim është vazhdimësi e projekteve të mëhershme dhe është konsideruar i domosdoshëm për ruajtjen e standardit të shërbimeve ndaj konsumatorëve.
Sa i përket kontratës për furnizim me kanale televizive, kompania ka theksuar se përzgjedhja është ndikuar nga të drejtat ekskluzive të transmetimit që operatorë të caktuar zotërojnë për tregun përkatës. Sipas Telekomit, në raste të tilla mundësia për konkurrencë është e kufizuar për shkak të natyrës së licencave dhe marrëveshjeve përmbajtësore.
Telekomi ka shtuar se modernizimi i rrjetit është realizuar në disa faza për shkak të kufizimeve buxhetore dhe kompleksitetit teknik, duke theksuar se çdo procedurë është trajtuar si nevojë e veçantë operative dhe jo si praktikë për shmangie të konkurrencës.
Sipas të dhënave të publikuara, 6 kontratat e dhëna përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit përfshijnë “implementimin e shërbimit VoLTE në vlerë 1,449,513.86 euro”; “furnizimin me kanale televizive në vlerë 950,000 euro”; “plotësime funksionale në sistemin e billingut në vlerë 87,320 euro”; “Furnizim me artikuj shtesë – kartela për payphona 9,676.00 euro”; “Mirëmbajtja dhe riparimi i softuerit të teknologjisë së informacionit 34,000.00euro”; “Shërbime postare dhe te telekomunikacionit 100,000.00 euro”.
B08 Njoftim per dhenje te kontrates (Dokument)
B52 Njoftimi per nenshkrimin e kontrates (Dokument)
B52 Njoftimi per nenshkrimin e kontrates-(Dokument)
B52 Njoftimi per nenshkrimin e kontrates_(Dokument)
B08 Njoftim per dhenje te kontrates_ (Dokument) (1)






















