Një hetim disa mujor i zyrës së BIRN në Shqipëri ka zbuluar një rrjet të trafikut ndërkombëtar të klandestinëve nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.
Investigimi i BIRN nis në Bajzë të Shkodrës, ku pjesa më e madhe e familjes Malaj ka emigruar ilegalisht në SHBA apo Kanada përgjatë viteve të fundit.
“Detroit, New York, Florida dhe Toronto. Ja ku ndodhen të gjithë njerëzit e mi tani,” thotë Palok Malaj. “Të gjithë ata kanë ikur ilegalisht në kërkim të një jete më të mirë,” shton ai. Ai ka shpenzuar rreth 80 mijë dollarë në tetë vitet e fundit për të dërguar të bijat përtej oqeanit. I ka mbetur vetëm i biri adoleshent, por edhe ai po pret me zor të ikë.
“Duam që të mbarojë shkollën, por mendja i punon si e si të ikë në Amerikë,” thotë Malaj i dorëzuar.
Shumë fqinjë të Malajt gjithashtu kanë emigruar. Ata kanë kyçur shtëpitë në këtë qytezë të vogël në rrëzë të Bjeshkëve të Nëmura.
“Të gjithë po ikin dhe askush nuk kthehet mbrapsht,” thotë Malaj.
Një raport i Ambasadës Amerikane në Tiranë, i dërguar Policisë së Shtetit në Janar 2014 thotë se numri i klandestinëve shqiptarë të kapur në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara u dhjetëfishua në vitin 2013, krahasuar me vitin paraardhës.
Dokumentet zyrtare të siguruara nga BIRN tregojnë se numri i emigrantëve ilegalë të ndaluar në kufirin Meksikë-SHBA në 2012 ishte 56. Në vitin 2013, kjo shifër kërceu në 487.
BIRN i referohet një raporti “konfidencial” i rrjedhur në shtyp nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes së Doganave dhe Kufinjve i cili tregon se qindra emigrantë shqiptarë mendohet të ketë përdorur këtë rrugë për të hyrë ilegalisht në SHBA, përgjatë viteve 2009-2013.
Pas raportit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi një hetim për rrjetin e trafikantëve që po dërgonin emigrantët ilegalë drejt Shteteve të Bashkuara.
Përmes përgjimeve telefonike dhe infliltrimit të një agjenti në mbulim, prokurorët arritën të identifikonin itinerarin e ndjekur dhe personat që lehtësonin trafikimin e qindra shqiptarëve nga Malësia e Madhe drejt Shteteve të Bashkuara.
Në Maj 2014, policia arrestoi 15 anëtarët e dyshuar të rrjetit, të cilët përdornin dokumente të falsifikuara për emigrantët ilegalë që donin të mbërrinin në SHBA.
Itinerari
Në investigimin e tyre, gazetarët Aleksandra Bogdani dhe Flamur Vezaj kanë zbuluar se rrugëtimi i gjatë niste nga Shqipëria dhe vazhdonte në Maqedoni, Bullgari, Austri dhe Spanjë, vende ku shqiptarët mund të lëvizin lirisht, falë marrëveshjes së lëvizjes së lirë në zonën Schengen.
Nga Spanja, emigrantët udhëtojnë drejt Meksikës me dokumente të falsifikuara bullgare. Ato i kthehen rrjetit të trafikantëve, sapo klandestinët mbërrijnë në Amerikë.
Dy rrugët e tjera të trafikut i dërgojnë emigrantët në Guatemalë, prej nga ata udhëtojnë për dy javë me autobus apo kamionë drejt kufirit Meksikë-SHBA.
Dokumentet e hetimit të Prokurorisë tregojnë se trafikantët përdorin gjithashtu edhe stacione të tjera në Amerikën Qendrore.
Në vjeshtën e vitit 2012, tre të rinj nga komuna malore e Kelmendit në Malësi të Madhe u ndaluan në aeroportin e El Salvadorit, teksa kishin në përdorim dokumente false bullgare.
Të tre ata u deportuan në Bullgari. Megjithatë, në 22 dhjetor 2012 ata ia dolën të hyjnë sërish në Shtetet e Bashkuara dhe plotësuan kërkesat për azil.
Sipas dëshmive të tyre, dhënë për Departamentin e Sigurisë, në udhëtimin e dytë fluturuan nga Shqipëria drejt Bullgarisë e më pas Spanjës, prej nga shkuan në Costa Rica dhe Honduras.
“Në Honduras hipëm në autobus dhe udhëtuam përqark Guatemalës, për të mbërritur në Meksikë 17 ditë pasi kishim lënë Shqipërinë,” thuhet në dëshminë e njërit prej tyre. “Kufirin Meksikë-SHBA e kaluam më këmbë,” shtoi ai.
Tre të rinjtë jetojnë në Bronx, në pritje të azilit dhe postojnë në Facebook të rejat e jetës së tyre në Neë York.